Ndërsa kryeministri sllovak Robert Fico po rikuperohej nga plagët e marra në sulmin e së mërkurës, incidenti rriti shqetësimet në Evropë para zgjedhjeve të 6-9 qershorit.
Në 27 vendet e BE-së, peizazhi politik po polarizohet gjithnjë e më shumë nga retorika e ashpër mes partive kryesore dhe populistëve të ekstremit të djathtë.
“Është tronditëse që dikush mund të bëhet viktimë e ideve të tij politike. Tre javë përpara zgjedhjeve, kjo është jashtëzakonisht alarmante”, tha kryeministri belg Alexander De Croo, vendi të cilit kontrollon presidencën e BE-së.
“Le të bëjmë një fushatë intensive me fjalë, por jo përtej tyre”, tha zoti De Croo për kanalin rajonal VRT. Duke nënvizuar seriozitetin e çështjes, De Croo paraqiti një ankesë në polici të enjten kundër një transmetuesi lidhur me një veprim, që megjithëse dukej se ishte shaka, bënte thirrje për “pushkatim” të kryeministrit.
Ngjarje të tilla nuk janë shaka. Në Gjermani javën e kaluar, një politikane e njohur nga Berlini u sulmua dhe pësoi lëndime në kokë dhe qafë. Një javë më parë, një kandidat nga partia e kancelarit Olaf Scholz u rrah gjatë fushatës për zgjedhjet e muajit të ardhshëm për Parlamentin Evropian dhe iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje mjekësore.
Politika e kompromisit hodhi themelet për shoqërinë e famshme të mirëqenies evropiane, por vitet e fundit, debatet politike agresive kanë qenë në rritje.
“Ka pasur dialog dhe procesi i ngadalshëm politik prodhonte zgjidhje. Por tani, shpesh kjo nuk funksionon më”, thotë profesor Hendrik Vos nga Universiteti i Gentit.
Sllovakia është një rast i tillë. Mjeshtëria e kryeministrit Fico në përdorimin e politikës konfrontuese e ndihmoi atë të siguronte një mandat të tretë në detyrë.
Zoti Fico bëri fushatë batuar në një platformë pro-ruse, anti-amerikane, një politikë të jashtme të çliruar nga lidhjet me BE-në, një qëndrim më të ashpër ndaj emigracionit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ+.
Pasi u rikthye në pushtet vitin e kaluar, ai menjëherë filloi të bënte ndryshime në zyrën e prokurorit kundër korrupsionit dhe forcoi kontrollin e qeverisë mbi transmetuesin publik, RTVS. Megjithatë, shqetësimet në BE për demokracinë dhe sundimin e ligjit tani janë tejkaluar nga ato për ngjarjen në terren.
“Politika e zotit Fico mund të jetë një kërcënim për demokracinë, por ky lloj i dhunës në politikën evropiane është një kërcënim shumë më i madh”, thotë analisti Tom Theuns nga Universiteti Leiden.
“Në këtë periudhë të polarizimit në nivel evropian, ne shohim se cilësia e debatit demokratik ka shënuar hapa prapa dhe politikanët gjithnjë e më shumë po konsiderohen si armiq, si nga rivalët e tyre ashtu edhe nga publiku i gjerë”, thotë eksperti Theuns. “Një debat i tillë, në të cilin gjithnjë e më shumë rivalët politikë e quajnë njëri-tjetrin “armik”, legjitimon dhunën në sytë e atyre që mund ta përdorin atë.”
Ndërsa kryeministri Fico ishte shtrirë në spital, presidentja në largim Zuzana Caputova, një nga kundërshtaret e tij më të forta, bëri thirrje për dalje nga “rrethi vicioz i urrejtjes dhe akuzave të ndërsjella”. Zonja Caputova e pranoi se “atmosfera e tensionuar e urrejtjes ishte rezultat i punës sonë kolektive”.
Është shumë herët të thuhet se çfarë ndikimi mund të ketë sulmi ndaj kryeministrit Fico në zgjedhjet e BE-së, pasi ato janë të ndara dhe zhvillohen në 27 vende anëtare.
Megjithatë, incidenti ka të ngjarë të ketë efekt në Sllovaki, thotë Juraj Majcin, analist në Qendrën Evropiane të Politikave në Bruksel.
Sulmi “me siguri nuk do të ndihmojë partitë më pak ekstreme”, tha ai, duke shtuar se “shanset janë që njerëzit të jenë më të motivuar për të votuar për njerëz si zoti Fico”.
Edhe nëse zoti Fico dhe partia e tij Smer i fitojnë zgjedhjet, ndikimi i tyre në Parlamentin Evropian do të ishte i kufizuar. Fraksioni i tij i vogël parlamentar madje është pezulluar nga grupi socialist në Parlamentin Evropian. Vetë kryeministri Fico ka më shumë ndikim në samitet e udhëheqësve të BE-së, ku shpesh ai mund të kërcënojë me përdorim të vetos ndaj propozimeve që nuk i pëlqejnë atij.
Udhëheqësi sllovak është pjesë e një zhvendosjeje shumë më të madhe në Evropë drejt partive populiste të së majtës dhe të djathtës, një largim nga qendra dhe kompromiset e partive të mëdha dikur dominuese si partitë Demokristiane dhe ato Socialiste.
Kryeministri Fico është i fundit në një listë çuditërisht të gjatë të viktimave politike në Evropën e pasluftës. Pavarësisht politikës së tyre jokonfrontuese të viteve të pasluftës, disa udhëheqës evropianë kanë rënë viktima të ekstremistëve më parë. Ndoshta rasti më i njohur është ai i vrasjes së kryeministri suedez Olaf Palme në vitin 1986. Një rast tjetër i njohur është ai i vrasjes së ministres së jashtme të Suedisë Anna Lindh në vitin 2003.
Wolfgang Schaeuble, një figurë e rëndësishme në ribashkimin e Gjermanisë dhe krizën financiare të BE-së një dekadë më parë, i mbijetoi një atentati në vitin 1990, por ai mbeti me aftësi të kufizuara. Një fat të ngjashëm patën disa politikanë dhe ish-politikanë të tjerë të Bashkimit Evropian.
Edhe vetëm kërcënimet mund të kenë një ndikim të madh.
Të enjten, politikani anti-islamik Geert Wilders përdori ndikimin e tij për të krijuar një qeveri të re holandeze me njërin nga kalicionet më radikale të ekstremit të djathtë në Holandë pas Luftës së Dytë Botërore.
Zoti Wilders ka shkëlqyer gjithmonë në politikën e konfrontimit, që disa ekspertë e kanë krahasuar me gjuhën e urrejtjes. Rreth 20 vjet më parë, ai mori kërcënime nga xhihadistët përmes një video të publikuar në një faqe interneti, ku bëhej thirrje për prerjen e kokës së politikanit holandez. Pas kërcënimit, ai u transferua përkohësisht në një shtëpi të sigurt dhe tani ai është një nga poltikanët më të mbrojtur.
Wilders tani udhëton me një makinë të blinduar, i rrethuar nga personeli i sigurisë. Shërbimet holandeze të sigurisë blenë një shtëpi dhe e shndërruan atë në një shtëpi të përhershme të sigurt.
Në vitin 2002, politikani holandez Pim Fortuyn, pararendës i së djathtës ekstreme të sotme, u vra nga një aktivist i mbrojtjes së të drejtave të kafshëve.
Gjatë një seance gjyqësore vitin e kaluar mbi kërcënimet me vdekje të bëra kundër tij nga lojtari pakistanez i kriketit Khalid Latif, zoti Wilders tha: “Nuk mësohesh kurrë me të gjitha këto masa sigurie.”/voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...