Në zgjedhjet e 5 nëntorit, sipas anketimeve, kandidatja e Partisë së Gjelbër Jill Stein mund të marrë 1 për qind të votave. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Maxim Adams, kandidatura e zonjës Stein mund të ketë ndikim shumë të madh në rezultatin e zgjedhjeve. Disa analistë politikë thonë se edhe një përqindje e vogël votash për kandidaten Stein mund të ndryshojnë rezultatin në ato që konsiderohen shtete vendimtare.
Nuk është hera e parë që kandidatja e Partisë së Gjelbër Jill Stein kandidon për presidente të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2016, zonja Stein mori pak më shumë se 1 për qind të votave.
Shumë demokratë besojnë se këto vota i kushtuan Hillary Clintonit humbjen e garës presidenciale. Në Miçigan, për shembull, Donald Trumpi fitoi ndaj Hillary Clintonit me më pak se 11 mijë vota, ndërsa kandidatja Stein mori mbi 51 mijë vota.
Disa ekspertë thonë se nuk është e qartë nëse të gjitha votat që u hodhën për kandidaten Stein do të kishin shkuar në mbështetje të kandidates Clinton.
“Nuk mendoj se është e lehtë të thuash ‘ky person mori votat e mia’, sepse nuk dihet se kë do të mbështesnin votuesit nëse do t’u duhej të zgjidhnin vetëm me dy kandidatëve”, shprehet Kyle Kondik nga Qendra për Politika në Universitetin e Virxhinias.
Një situatë e ngjashme u pa edhe në vitin 2000, kur kandidati i Partisë së Gjelbër Ralph Nader fitoi afro 100 mijë vota në Florida dhe republikani George W. Bush fitoi ndaj demokratit Al Gore me vetëm 537 vota.
“Ata që votojnë për një kandidat të një partie të tretë e bëjnë këtë për arsye krejt individuale. Ata janë kaq të zemëruar me partitë kryesore dhe si rezultat prodhojnë një vote proteste”, thotë Jack Rakove nga Universiteti Stanford.
Megjithatë, demokratët vazhdojnë të ngrejnë shqetësimin se zonja Stein mund të dëmtojë shanset për fitore të partisë së tyre në zgjedhje, duke e akuzuar atë në disa raste, se po bën përpjekje për të goditur kandidaten Kamala Harris.
Zëri i Amerikës iu drejtua fushatës së zonjës Stein dhe zëdhënësi Sam Pfeifle, u përgjigj duke thënë se sulmi ndaj kandidates së një partie të tretë, “nuk është thjesht një sulm ndaj demokracisë , por një formë shtypjeje për t’i frikësuar njerëzit që të mos votojnë kandidatin që duan, apo edhe që të mos votojnë fare”.
Por në shtetet kyçe si Miçigani, ku gjendet numri më i lartë i myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Partia e Gjelbër mund të ketë ndikim më të madh.
Kjo për shkak se shumë myslimanë të shqetësuar nga kriza humanitare në Gazë janë të zemëruar që Presidenti Biden i ka dhënë mbështetje Izraelit.
Sipas një raporti të bërë publik muajin e kaluar nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, 40 për qind e muslimanëve në Miçigan thanë se kanë në plan të votojnë për kandidaten Stein, ndërsa 12 për qind thanë se do të votojnë për demokraten Harris.
“Kandidatja Stein pritet të marrë shumë nga votat që mund të shkonin për Kamala Harrisin dhe demokratët në shtetet vendimtare nuk arritën ta shmangnin regjistrimin e saj si kandidate për presidente. Pra, nëse kjo garë do të varet nga shtetet kyçe, ka mundësi që vota për zonjën Stein të ndikojë në shtetet me diferencë të ngushtë”, shprehet John Fortier nga Instituti Amerikan për Sipërmarrje.
I njëjti raport tregon gjithashtu se shumë myslimanë kanë në plan të votojnë për kandidaten Stein në vend të kandidates Harris në Wiskonsin dhe Arizona, shtete kyçe ku Joe Bideni mposhti me një diferencë të ngushtë Donald Trumpin në 2020.
Në një vit zgjedhor ku është shumë e vështirë të parashikohet se cili mund të jetë fituesi, votat e Partisë së Gjelbër mund të bëjnë ndryshimin./voa
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...