Presidenti Donald Trump thotë se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është më e fuqishme nga sa ka qenë ndonjëherë, për shkak të politikave të tij ekonomike dhe tregtare. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore po i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që të tërhiqen nga lufta e tyre tregtare, duke thënë se ballafaqimi mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike globale.
Luhatshmëria në Wall Street u përhap këtë javë në tregjet aziatike dhe evropiane. Desmond Lachman i institutit American Enterprise thotë se investitorët kanë arsye për t’u shqetësuar.
“Duket sikur Rezerva Federale, Banka Qendrore amerikane tani duhet të rrisë normat e interesit më shumë nga sa pritej. Kjo është shqetësuese për investitorët. Gjithashtu, pasiguria mbi luftën tregtare me Kinën, sigurisht ndikon”.
Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është fokusi i takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Bali.
Drejtorja e FMN-së, Christine Lagarde, bëri thirrje për tërheqje.
“Ne vlerësojmë se përshkallëzimi i tensioneve aktuale tregtare mund të zvogëlojë prodhimin e brendshëm bruto në botë pothuajse me një për qind gjatë dy viteve të ardhshme. Është e qartë se duhen zbutur tensionet tregtare, por kemi gjithashtu nevojë të reformojmë sistemin global të tregtisë për ta bërë më të drejtë, më të fortë, të dobishëm për të gjithë dhe të përshtatshëm për të ardhmen”.
Presidenti Donald Trump fajësoi Bankën Qendrore amerikane për pasigurinë në tregun financiar.
DONALD TRUMP, PRESIDENT I SHBA
“Unë mendoj se po bën gabim. Mendoj se Banka Qendrore ka lajthitur”.
President Trump ka vlerësuar politikat e tij për rritjen ekonomike të Amerikës. Analistët pajtohen se vendimet e tij sollën një rritje afatshkurtër.
Në afat të gjatë, ata shqetësohen për rritjen e defiçitit të tregtisë dhe të buxhetit të administratës, të cilat kanë bërë që Banka Qendrore amerikane të rrisë normat e interesit, që do të ndikojë në ekonominë e vendeve në zhvillim.
“Ndërsa rriten normat e interesit në Shtetet e Bashkuara, dollari forcohet, dhe paratë që shkonin në tregjet në zhvillim tani kthehen në Shtetet e Bashkuara në vend që të përdoren në Argjentinë, Turqi apo Afrikën e Jugut, vende ku ka defiçite të mëdha. Tani kanë probleme të mëdha që kanë të bëjnë me situatën monetare në Shtetet e Bashkuara”.
Pastaj vjen lufta tregtare mes Amerikës dhe Kinës. Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim paralajmëron botën në zhvillim që të bëhet gati për këto ndryshime.
“Ne duhet të mendojmë mirë se si të përgatitemi nga përkeqësimi i tensioneve tregtare. Po, jemi shumë të shqetësuar dhe po punojmë me çdo vend anëtar për t’i përgatitur në rast se bëhet më keq”.
Kina thotë se po komunikon me Uashingtonin, mes raporteve të një takimi të planifikuar muajin tjetër midis Presidentit Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping dhe Presidentit Trump.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...