Presidenti Joe Biden nënshkroi një ndihmë të re për luftën e Izraelit me një vlerë prej 26 miliardë dollarësh, ndihma për Izraelin vjen në një kohë kur ka një mbikëqyrje të shtuar nëse ky vend po përmbush standardet amerikane të të drejtave të njeriut.
Izraeli është përfituesi më i madh i ndihmës amerikane me afro 4 miliardë dollarë në vit, shumica e së cilës për ushtrinë.
Shtetet e Bashkuara janë tani gati t’i japin Izraelit edhe 26 miliardë dollarë më shumë.
“Angazhimi im për Izraelin, dua ta bëj të qartë sërish, është i hekurt. Siguria e Izraelit është e një rëndësie kritike dhe ne gjithmonë do të sigurohemi që Izraeli të ketë gjithshka i nevojitet për t’u mbrojtur nga Irani dhe terroristët e përkrahur nga ai,” tha Presidenti amerikan Joe Biden.
Ndihma ushtarake për Izraelin vjen në një kohë kur administrata e Presidentit Biden po bën një shqyrtim të brendshëm nëse Izraeli dhe partnerët e tjerë që përfitojnë nga armët amerikane po respektojnë ligjet ndërkombëtare dhe ato amerikane. Qeveria e Kryeministrit Benjamin Netanyahu u ka thënë Shteteve të Bashkuara se ka vepruar në përputhje me to.
Një grup akademikësh dhe ish zyrtarësh amerikanë, kritikë ndaj veprimeve të Izraelit gjatë luftës, nuk pajtohen. Ata i kanë bërë thirrje administratës të ndërpresë dërgimin e armatimeve.
Bashkëkryesuesja e këtij grupi, Noura Erakat është profesore e të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Rutgers.
“Nga 16 incidentet që kemi dokumentuar, në 11 prej tyre Izraeli as nuk pretendon të ishin objektiva ushtarake dhe as nuk jep ndonjë justifikim. Dhe në gjysmën e këtyre incidenteve, sulmet janë bërë ndaj shtëpive të banimit, me familje që po strehoheshin brenda tyre,” thotë ajo.
Ky grup pune thotë se ka shqyrtuar mijëra raporte të incidenteve, përfshirë sulmet ajrore të forcave të armatosura të Izraelit ndaj dy kampeve të refugjatëve Maghazi dhe Jabalia. Nga sulmet janë vrarë dhjetëra njerëz.
Një prej rasteve që përmendet është sulmi ndaj një ndërtese banimi në pjesën qendrore të Gazës që vrau 106 civilë, përfshirë 54 fëmijë.
Grupi i dorëzoi gjetjet e veta javën e kaluar tek administrata amerikane, e cila duhet t’i raportojë Kongresit deri më 8 maj nëse Izraeli po respekton ligjet ndërkombëtare dhe amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit gjithashtu do të publikojë gjetjet e një hetimi nëse duhet kufizuar ndihma për një njësit izraelit, që akuzohet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor, kryesisht para sulmit të Hamasit ndaj Izraelit me 7 tetor. Izraeli i ka kritikuar propozimet për të kufizuar ndihmat.
“Shteti i Izraelit është vend demokratik, ka qeveri, ka ushtri, ka hierarki dhe nuk më duket që është e drejtë t’i vendosen sanksione një njësiti të veçantë,” tha anëtari i kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz.
Izraeli po hakmerret ndaj sulmit të Hamasit të 7 tetorit që la 1,200 të vdekur.
Mbi 34,000 palestinezë janë vrarë në luftë, shumica e tyre civilë.
Ndihma prej 26 miliardë dollarësh për Izraelin është pjesë e ligjeve që Senati amerikan miratoi të martën vonë, që gjithashtu përfshin 61 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 8 miliardë për sigurinë amerika në Indo-Paqësor./VOA
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...