Byroja Federale e Hetimit e Shteteve të Bashkuara (FBI) po heton një ndërhyrje masive që ndodhi të mërkurën në “Twitter”, kur u keqpërdorën llogaritë e personazheve publike për të vjedhur rreth 100’000 dollarë në Bitcoin, thuhet në një deklaratë të FBI-së të enjten.
“FBI-ja po heton incidentin e 15 korrikut 2020 me disa llogari në ‘Twitter’ që u përkasin individëve të profilit të lartë. Deri më tani, llogaritë duket se janë komprometuar për qëllime mashtrimi me kripto-monedha”, tha në një deklaratë departamenti i FBI-së në San Françisko. “E këshillojmë publikun të mos bjerë viktimë e këtij mashtrimi duke dërguar kripto-monedha ose para në lidhje me këtë incident”.
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha në një deklaratë të enjten se Departamenti i Shërbimeve Financiare i këtij shteti do të zhvillojë gjithashtu një “hetim të plotë për këtë ndërhyrje masive”.
Të mërkurën, hakerat sulmuan llogaritë e personave të famshëm dhe politikanëve, përfshirë Jeff Bezos, Joe Biden, Kim Kardashian dhe Barack Obama, me mesazhe në Twitter që premtuan tu dërgojnë përdoruesve dyfishin e parave që ata paguan në një adresë anonime Bitcoin. Hakerat morën mbi 100’000 dollarë në kripto-monedha gjatë këtij sulmi, sipas të dhënave publike të Bitcoin-it.
Twitter e quajti ndërhyrjen një sulm të koordinuar të hakerëve që “sulmuan me sukses disa prej punonjësve tanë me qasje në sisteme dhe mjete të brendshme”.
Një përjashtim i dukshëm nga sulmi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, llogaritë e verifikuara personale dhe presidenciale të të cilit nuk u ndikuan të mërkurën, konfirmoi në një konferencë shtypi të enjten Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany. Ajo tha se Presidenti Trump do të qëndrojë në Twitter pavarësisht sulmit.
Në një seri mesazhesh, kompania Twitter tha se kishte ndërmarrë “hapa domethënës për të kufizuar qasjen në sistemet dhe mjetet e brendshme” ndërsa hetimi i saj vazhdon.
Twitter mbylli të gjitha llogaritë e verifikuara pasi u përhap lajmi, duke ua ndaluar kështu nisjen e mesazheve dhe rikrijimin e fjalëkalimeve. Kompania gjithashtu hoqi tweet-et e rreme nga llogaritë e kompromentuara dhe tha se “do t’i rikthente qasjen pronarit të llogarisë origjinale vetëm kur jemi të sigurt se mund ta bëjmë këtë me siguri.”
Sistemi i shenjave të kaltër në Twitter, i cili tregon llogaritë e verifikuara, supozohet të tregojë se përdoruesi është autentik.
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin