Ndërhyn Bjellorusia, dalin me deklaratë se kreu i Wagnerit pranoi propozimin për depërshkallëzim

20:50 | 24 Qershor 2023
Diellza Gashi

Kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin, pranoi propozimin e presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për të ndaluar lëvizjen e kolonës së tij dhe për të ndërmarrë hapa drejt de-përshkallëzimit. Kështu thuhet në një deklaratë që lëshoi pak minuta më parë, shërbimi për shtyp i presidentit bjellorus.

Sipas raportimeve, Lukashenko foli me Prigozhin pasi u pajtua për këtë me liderin rus Vladimir Putin, raporton dhe The Guardian.

Gjithashtu, nga zyra e presidentit Bjellorusi thonë se negociatat mes Lukashenkos dhe Prigozhin u zhvilluan gjatë gjithë ditës.

Administrata e Lukashenkos pretendon se ekziston një draft i një marrëveshjeje të pranueshme që mund të rezultojë në një zgjidhje të situatës me Wagnerin, e cila do të siguronte sigurinë për luftëtarët e atij grupi ushtarak.

Kujtojmë se presidenti rus Vladimir Putin premtoi të shtypë atë që ai e quajti një “rebelim të armatosur”, pasi udhëheqësi i mercenarëve rebelë Yevgeny Prigozhin mori kontrollin e qytetit jugor të Rostovit si pjesë e një përpjekjeje për të përmbysur udhëheqjen ushtarake dhe u nis drejt Moskës.

Kthesa dramatike, me shumë detaje të paqarta, duket të jetë kriza më e madhe e brendshme me të cilën është përballur Putini që kur urdhëroi një pushtim të përgjithshëm të Ukrainës – të cilin ai e quajti një “operacion special ushtarak” – në shkurt të vitit të kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme