Ndahet nga jeta në moshën 96 vjeçare ish-zonja e parë e SHBA-ve, Rosalynn Carter

23:43 | 19 Nëntor 2023
E.G

Ish-zonja e parë e SHBA-ve, Rosalynn Carter, gruaja e ish-presidentit Jimmy Carter, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Qendra Carter dha lajmin duke thënë se ajo vdiq në paqe me familjen pranë saj. Qendra njoftoi të premten se ish-zonja e parë kishte hyrë në kujdesin intensiv. Ajo u diagnostikua me demencë në maj.

Carter ishte e martuar për 77 vjet me Jimmy Carter, presidentin e 39- të të Shteteve të Bashkuara dhe fituesin e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2002, i cili tani është 99 vjeç. “Rosalynn ishte partnerja ime e barabartë në gjithçka që kam arritur ndonjëherë”, tha në një deklaratë bashkëshorti i saj, ish-presidenti Jimmy Carter.

“Ajo më dha udhëzime dhe inkurajim të mençur kur kisha nevojë. Për sa kohë që Rosalynn ishte në botë, unë gjithmonë e dija që dikush më donte dhe më mbështeste”, njoftoi qendra Carter. Rosalynn shërbeu si zonja e parë e vendit gjatë mandatit të vetëm të burrit të saj si president i SHBA-së, nga viti 1977 deri në 1981.

Ish-zonja e parë luajti një rol të madhnë Shtëpinë e Bardhë, duke shërbyer si e dërguar jashtë vendit dhe si zëvendësuese politike e bashkëshortit të saj. Në vitin 1982, Jimmy dhe Rosalynn Carter themeluan The Carter Center, një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar për avancimin e të drejtave të njeriut, menjëherë pasi Jimmy Carter humbi zgjedhjet ndaj Ronald Reagan.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, çifti udhëtoi në pika të nxehta në mbarë botën, duke përfshirë vizitat në Kubë, Sudan dhe Korenë e Veriut. Jimmy Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002.

Në vitin 1999, presidenti i atëhershëm Bill Clinton iu dhuroi të dyve Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil i vendit. Ai tha se ata kishin “bërë më shumë gjëra të mira për më shumë njerëz në më shumë vende se çdo çift tjetër në Tokë”./abcnews.al

Të ngjashme