Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se personelit të misionit diplomatik të Bjellorusisë në aleancë do t’i kufizohet qasja në seli.
Vendimi vjen pasi autoritetet bjelloruse, ditë më parë, kanë detyruar një avion pasagjerësh të aterojë në Minsk dhe kanë arrestuar një gazetar, i cili ndodhej në bordin e avionit.
“Kemi vendosur të kufizojmë hyrjen e personelit bjellorus në selinë e NATO-s, bazuar në vlerësimin tonë të masave të sigurisë”, u tha Stoltenberg gazetarëve, në prag të një takimi të ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të NATO-s.
Masa prek një ambasador bjellorus dhe katër diplomatë të tjerë.
“Ata ende mund të hyjnë, por vetëm si vizitorë, me leje ditore dhe të shoqëruar”, u citua të ketë thënë një zyrtar i NATO-s.
Bjellorusia nuk është anëtare e NATO-s, por ka një mision diplomatik në aleancën ushtarake perëndimore qysh nga viti 1998.
Më 23 maj, Bjellorusia ka dërguar një avion luftarak për të përcjellë një fluturim komercial të kompanisë Ryanair nga Greqia në Lituani, duke e detyruar atë që të aterojë në Minsk.
Autoritetet bjelloruse e kanë arsyetuar këtë veprim, duke thënë se kanë marrë informacione se në bordin e avionit është vendosur bombë.
Pas aterimit, gazetari bjellorus, Raman Pratasevich, dhe e dashura e tij, Sofia Sapega, shtetase ruse, janë nxjerrë nga avioni dhe janë ndaluar, ndërsa në bord nuk është gjetur asnjë bombë.
Veprimi i autoriteteve bjelloruse ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kërkesa për lirimin e Pratasevichit.
Bashkimi Evropian i ka ndaluar fluturimet nga Bjellorusia. \REL
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh