NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

20:31 | 22 Dhjetor 2024
E.H

Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Zëri i Amerikës vizitoi një nga zonat ku trupave ukrainase po u mësohen aftësi të reja nga trupat britanike, kanadeze e polake.

Në këtë vend në Poloni, ekipet e tankistëve ukrainas po mësojnë nga ushtarë të NATO-s se si të përdorin tanket gjermane. Kjo si pjesë e një programi të ndihmës ushtarake, financuar nga Bashkimi Evropian. Luftëtarët ukrainas po trajnohen nga trupat britanike, kanadeze e polake.

“Punojmë gjatë gjithë ditës duke përdorur kompjuterët, duke trajnuar tankist pas tankisti. Në këtë mënyrë kursejmë karburantin dhe kur tankistët e përdorin realisht mjetin, jemi të sigurt se ata do të shmangin çdo gabim, për shkak se kanë mësuar në këta kompjuter”, thotë Gjeneral Major i Forcave të Armatosura polake, Piotr Fajkowski.

Puna në këtë qendër pranë kufirit me Gjermaninë përfshin zotërimin e të gjitha aspekteve që lidhen me tanket gjermane Leopard, prej drejtimit të tyre tek riparimi. Po kështu tankistët ukrainas aftësohen ta manovrojnë mjetin me shpejtësi maksimale ndërsa kryejnë ushtrime duke gjuajtuar në terrene të posaçme stërvitore.

Instruktorët thonë se kur luftëtarët ukrainas largohen nga Polonia, ata janë plotësisht të përgatitur për të përdorur tankun gjatë një beteje të vërtetë.

“Sa më mirë të trajnohen trupat, aq më efektive janë ato në fushën e betejës. Po shohim se Rusia, po përpiqet aq shumë të organizojë ofensivën sa nuk kanë kohë për stërvitje të mjaftueshme. Dhe ne po i shohim humbjet e tyre!”, thotë eksperti ushtarak Vaidotas Malinionis.

Trupat ukrainase po trajnohen edhe në Lituani, një vend anëtar i NATO-s. Të dy vendet ndajnë një kufi me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë. Këto stërvitje të vazhdueshme janë bërë shumë më intensive që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Në dy muajt e fundit, këtu janë trajnuar ushtarak të rinj të forcave të armatosura të Ukrainës.

“Disa prej tyre kanë përvojë ushtarake, por ka edhe nga ata që nuk kanë përvojë apo njohuri bazë të mjaftueshme dhe ky kurs shërben që t’i stërvitim pak a shumë në të njëjtin nivel”, thotë Olegas Magas, instruktor i ushtrisë lituaneze.

Pjesa më e madhe e këtij trajnimi përqendrohet tek ata ushtarakë, të cilët ka të ngjarë të jenë në vijën e parë të frontit, duke i mësuar të marrin vendime të shpejta, që të jenë taktikisht elastik, si dhe që të punojnë lehtësisht me trupat e NATO-s.

“Qëllimi parësor i ushtrive të NATO-s dhe i NATO-s si forcë ushtarake është standardizimi i të gjitha degëve të saj, pra që trupat amerikane të mund të punojnë me ato lituaneze”, thotë ushtari ukrainas që nuk u identifikua për çështje sigurie.

Familjarizimi me procedurat e NATO-s është pjesë e dëshirës së Presidentit Volodymyr Zelenskyy që Ukraina t’i bashkohet aleancës. Ai beson se kjo është një mënyrë për të garantuar paqen e qëndrueshme me Rusinë. Por  Zelenskyy ka pranuar gjithashtu se anëtarësimi i plotë në NATO, nuk është i mundur për sa kohë që lufta vazhdon./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme