NATO-ja pajtohet ta bëjë prioritet mbrojtjen e infrastrukturës së Ukrainës

15:31 | 4 Dhjetor 2024
E.K

Vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar për ta bërë prioritet të lartë mbrojtjen e infrastrukturës së Ukrainës, tha të mërkurën shefi i aleancës ushtarake, Mark Rutte.

Rusia është duke i bombarduar pareshtur qytetet dhe qytezat ukrainase me raketa dhe dronë.

Duke folur për gazetarë para ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të 32 vendeve anëtare të NATO-s, Rutte tha gjatë takimi është biseduar për t’i dhënë Ukrainës sisteme të mjaftueshme për mbrojtje ajrore në mënyrë që ajo ta mbrojë infrastrukturën e vet nga sulmet ruse.

“Pati pajtueshmëri të qartë mbrëmë se mbështetja e Ukrainës, posaçërisht për infrastrukturën e saj, duhet të jetë prioritet”, tha Rutte.

“Besoj se aleatët do të sigurohen në ditët dhe javët në vazhdim se do ta furnizojnë Ukrainën me çfarëdo që mund ta furnizojnë”, tha ai.

Ky është dimri i tretë radhazi që Rusia e sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, dhe si pasojë ka shkaktuar viktima dhe ka penguar furnizimin me energji elektrike për mijëra civilë.

Mëngjesin e së mërkurës, dronë rusë sulmuan rajonin verior të Çernihivit, duke dëmtuar disa shtëpi në një fshat, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Chaus në Telegram.

Në rajonin qendror të Vinnytsya, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një shtëpi në distriktin Haisin, duke e shkatërruar pjesërisht atë, tha Shërbimi i Emergjencave të Ukrainës.

Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi se Rusia i përdori një raketë dhe 50 dronë ndaj objektivave në Ukrainë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi 29 dronë në nëntë rajone – Kiev, Harkiv, Poltava, Sumi, Çernihiv, Hmelnitski, Ternopil, Mikolaiv dhe Donjeck, tha ajo.

Ndërkohë, shpërthime të fuqishme u raportuan gjatë natës në portin rus të Detit të Zi, Novorossiisk, i cili është nga qendrat kryesore për eksportet ruse të naftës dhe port i rëndësishëm ushtarak për një pjesë të flotës ruse të Detit të Zi.

Sirena ajrore u lëshuan në këtë pjesë dhe kryetari i Novorosiskut, Andrei Kravchenko, u bëri thirrje banorëve të strehohen për shkak të një sulmi me dron.

As Ukraina e as Rusia nuk kanë komentuar ende mbi shpërthimet./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme