Google ADS

NATO e shqetësuar nga rritja e pranisë së Rusisë në Mesdheun Lindor

19:44 | 16 Qershor 2020
Arbresh.info

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se rritja e pranisë së Rusisë në rajonin e Mesdheut Lindor shkakton shqetësime për aleancën, transmeton Anadolu Agency (AA).

“NATO po ashtu është e shqetësuar për rritjen e pranisë së Rusisë në Mesdheun Lindor në përgjithësi, në Siri, por po ashtu edhe në Libi. Ne duhet ta ndjekim dhe monitorojmë atë nga afër”, tha Stoltenberg në një pyetje në një konferencë për media online para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s që do të mbahet më 17-18 qershor.

Stoltenberg tha se situata në Libi nuk është në agjendën e takimit, por shtoi se mund të diskutohet edhe ajo.

“Ajo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e aleatëve tanë, veçanërisht atyre jugorë, por në të vërtetë për të gjithë NATO-n”, tha Stoltenberg.

Siç theksoi ai, aleanca mbështet përpjekjet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (OKB) në Libi dhe bëri thirrje për një hetim mbi varret masive të zbuluara në Tarhuna, një qytet në veriperëndim të vendit, i çliruar së fundmi nga kontrolli i komandantit ushtarak Khalifa Haftar.

“Situata në Libi mbetet jashtëzakonisht e vështirë, e rrezikshme dhe natyrisht, ne jemi thellësisht të shqetësuar për raportet në lidhje me varret masive. Ne mbështesim thirrjen e OKB-së për një hetim për të zbuluar saktësisht se çfarë ndodhi”, tha shefi i NATO-s.

Takimi i shefave të mbrojtjes

Stoltenberg tha se ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë për rritjen e raketave të afta bërthamore të Rusisë, duke shtuar se si përgjigje ai pret që ata “të pajtohen për një paketë thelbësore dhe të ekuilibruar të masave politike dhe ushtarake”.

“Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se NATO po ashtu do të forcojë aftësitë e saj të përparuara konvencionale dhe “të adaptojë ushtrimin dhe inteligjencën e saj për të adresuar sfidat e reja”.

“NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar në kontrollin efektiv të armëve, çarmatimin dhe mos-përhapjen e tyre, të cilat janë një kontribut kryesor për sigurinë tonë. Kështu që ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që të gjithë aktorët, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të angazhohen në mënyrë konstruktive”, tha ai.

Stoltenberg njoftoi se me shefat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe masat për një valë të dytë të mundshme të koronavirusit të ri (COVID-19).

Ai pret që lidhur me këtë çështje shefat e mbrojtjes të bien dakord për tre gjëra, siç tha ai, “Një plan të ri operacional që të jetë gati për ndonjë valë të dytë të COVID-19, një rezervë e pajisjeve mjekësore për të ofruar ndihmë të menjëhershme për aleatët dhe vendet partnere, si dhe një fond për të siguruar pajisje kritike mjekësore”.

Sipas tij, këta tre elementë së bashku “do të sigurojnë përforcimin e reagimit ndaj një vale të dytë të mundshme të pandemisë, në mënyrë që ndihma kritike të arrijë në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme