NATO e kënaqur nga marrëveshja Turqi-SHBA

22:46 | 18 Tetor 2019
Trina Galanxhi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është i mendimit se marrëveshja Turqi-SHBA do të kontribuojë në zvogëlimin e tensioneve në Sirinë verilindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, pas takimit të tij me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, zhvilloi konferencë të përbashkët për media në Bruksel.

Ai tregoi se Pomeo e ka informuar Këshillin Veriatlantik të NATO-s në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Turqisë dhe SHBA-ve për Sirinë verilindore, duke shprehur kënaqësinë nga dakordësimi i dy aleatëve të NATO-s që gjenden në terren në Siri.

“Mendoj se marrëveshja Turqi-SHBA do të kontribuojë në zvogëlimin e tensioneve në Sirinë verilindore”, u shpreh Stoltenberg duke treguar se situata ende ruan “ndjeshmërinë” në rajon.

Ai rikujtoi se para një kohe të shkurtër ka zhvilluar një visitë zyrtare në Turqi.

“Rikujtova se Turqia është në vijën e frontit në një rajon të paqëndrueshëm dhe ka vuajtur më së shumti nga sulme terroriste se gjithë aleatët”, tha ai.

Stoltenberg gjithashtu tregoi se Turqia është vendi që ka pritur më së shumti refugjatë. “Turqia ka shqetësime legjitime të sigurisë”, theksoi kreu i NATO-s.

Pompeo thirrje vendeve evropiane

Ndërkohë, sekretari Pompeo, duke theksuar rëndësinë e informimit të aleatëve në NATO në lidhje me takimet në Turqi, tha se në mesin e aleatëve të NATO-s ka vende që në Siri gjenden në terren.

“Duhet të vazhdojmë luftën tonë kundër DEASH-it në rajon si dhe për procesin politik në Siri në pajtim me vendimet e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, u shpreh Pompeo.

“Nevojitet një koordinim shumë intensiv për tërheqjen e pjesëtarëve të YPG-së nga vendet që bëjnë pjesë në marrëveshje”, tha ai në lidhje me zhvillimet pas marrëveshjes së arritur me Turqinë.

Duke folur për 3-4 milionë refugjatë që i ka pritur Turqia, kryediplomati amerikan tha se “kjo është një barrë shumë e madhe dhe vendet evropiane duhet të rishikojnë se s’i mund t’i kontribuojnë kësaj”.

“Shpresoj që të gjithë vendet të përmbushin detyrimet e tyre dhe t’i rikthejnë këto luftëtarë terroristë të huaj”, theksoi Pompeo në lidhje me pjesëtarët e DEASH-it.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme