Google ADS

NATO dërgon ndihma për Slloveninë pas përmbytjeve

10:43 | 8 Gusht 2023
A Z

Vendet anëtare të NATO-s kanë filluar të ofrojnë ndihmë urgjente për Slloveninë e cila është goditur nga përmbytjet, ku si pasojë kanë humbur jetën 6 persona.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një komunikim telefonik me kryeministrin slloven Robert Golob i ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin e fortë të NATO-s me Slloveninë, në këtë situatë.

“Unë e mirëpres që aleatët e NATO-s u ngritën me oferta të menjëhershme mbështetjeje, duke përfshirë helikopterë, ura modulare, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike”, ka thënë Stoltenberg.

Përmbytjet e rënda të fundjavës kanë prekur dy të tretat e vendit, duke lënë të vdekur të paktën gjashtë persona dhe duke lënë qindra persona pa strehë.

Me kërkesën e Sllovenisë për ndihmë nëpërmjet Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Euro-Atlantike të NATO-s (EADRÇ) pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet rekord javën e kaluar, Spanja ofroi një helikopter të rëndë CH-47 dhe deri 25 personel, duke përfshirë një ekuipazh dhe staf mbështetës.

Aleatët e NATO-s po ofrojnë gjithashtu mbështetje përmes Bashkimit Evropian, Bullgaria, Kroacia, Gjermania dhe Franca kanë ofruar mbështetje duke përfshirë helikopterë, ekskavatorë, ura modulare dhe ekipe inxhinierike./abcnews.al

 

Të ngjashme