Partia nacionaliste në Poloni, Ligji dhe Drejtësia, duket se do të vazhdojë udhëheqësinë, pasi sondazhet tregojnë se në zgjedhjet e mbajtura të dielën, kjo parti ka fituar më së shumti vota.
Një mandat i dytë për këtë parti nënkupton fuqizim të populistëve kundër migrimit në Bashkimin Evropian.
Sondazhet e kryera nga Ipsos kanë treguar që partia Ligji dhe Drejtësia ka fituar 43.6 për qind të votave, Koalicioni Civil i qendrës, 27.4 për qind, një grup që më parë ishte drejtuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Një bllok i së majtës ka arritur të fitojë 11.9 për qind të votave.
“Ne kemi fitoren”, ka thënë lideri i partisë Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaw Kaczynski, para anëtarëve të partisë së tij, ndonëse ka thënë se kjo e fundit “ka merituar që të fitojë më shumë”.
Zyrtarët zgjedhorë pritet të bëjnë publike rezultatet zyrtare më vonë gjatë ditës së hënë.
Grupet opozitare dhe partnerët e Polonisë në Bashkimin Evropian ka thënë se gjatë katër vjetëve në pushtet, Partia, Ligji dhe Drejtësia ka dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit, dhe ka detyruar mediat publike që të promovojnë agjendën e saj për të shtypur kundërshtarët.
Kjo parti po ashtu ka ndryshuar politikën e jashtme të Polonisë, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, duke u kthyer në një nga zërat kryesorë që ka kërkuar heqjen e disa kompetencave nga Brukseli.
Përgjatë fushatës, partia Ligji dhe Drejtësia u ka thënë votuesve se bizneset dhe elitat kulturore në Poloni duket të zëvendësohen me njerëz që ekspozojnë vlera patriotike dhe sigurojnë treg të lirë e konkurrent, pa harruar edhe qasjen në institucione shtetërore, sikurse janë gjykatat.
Kjo parti, në fushatën e saj zgjedhore është fokusuar në zgjedhjen në mes të një shoqërie me vlera katolike tradicionale dhe një rregulli liberal që përkrah vetëm disa dhe dëmton jetën familjare.
Ligji dhe Drejtësia ka shënjestruar edhe komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), duke i konsideruar pjesëtarët e tij si kërcënim.
Shoqëri e ndarë
Ligji dhe Drejtësia konsiderohet të ketë fituar mbështetjen e polakëve të varfër që ndihen të lënë pas dore prej rënies së komunizmit më 1989.
Kjo pasi, partia ka përzier retorikën nacionaliste me një program shumë atraktiv të mirëqenies.
Për të rritur edhe më shumë mbështetjen, partia Ligji dhe Drejtësia ka fuqizuar lidhjet me Kishën Katolike të Polonisë, duke marrë pjesë në shumë organizime fetare.
Sipas Ipsos, dalja në zgjedhje ka qenë 61.1 për qind, që nëse konfirmohet, do të jetë shifra më e lartë sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në një proces votimi që nga viti 1989.
Kjo rritje përcillet me një shkallë të madhe të ndasive në Poloni, pasi shumë kundërshtarë të partisë Ligji dhe Drejtësia janë të shqetësuar për të ardhmen e demokracisë në këtë shtet, ndonëse dikur është parë si shembull i tranzicionit demokratik.
Çfarë ndodhi në Hungari?
Ndryshe nga Polonia, në zgjedhjet komunale në Hungari, opozita ka shënuar fitoren më të madhe në një dekadë, pasi Gergely Karacsony ka larguar nga qeverisja e Budapestit, kandidatin e partisë në pushtetin qendror, Istvan Tarlos.
Kandidatët e opozitës është thënë të kenë shënuar fitore edhe në qytete tjera të mëdha.
Megjithatë ky rezultat nuk do të prekë kryeministrin, Viktor Orban dhe kabinetin e tij, i cili po çon përpara politikat për fuqizim të ekonomisë, retorikë të ashpër kundër migrimit dhe rritje të pagave.
Partia e Orbanit, Fidesz, vazhdon të ketë përkrahje të madhe në zonat rurale.
Zgjedhjet e përgjithshme në këtë shtet do të mbahen më 2022, ndonëse Orban, që ka fituar pushtetin më 2010, vazhdon të ketë shumicë të madhe në parlament.
Pas 81.6 për qind të votave të numëruara, Karacsony ka fituar 50.6 për qind të votave, në krahasim me 44.3 për qind të votave sa ka fituar Tarlos, bazuar në të dhënat e Zyrës Kombëtare për Zgjedhje.
Karacsony, 44-vjeçar konsiderohet një nga personat që do të sfidojë partinë Fidesz, e cila ka fituar shtatë herë me radhë zgjedhjet në nivel kombëtar, lokal dhe evropian nga vitit 2010.
“Ne i kemi dhënë të gjithëve një mësim për demokracinë. Një bashkim opozitar që votuesit e kanë pritur gjatë dhe një rezultat që na tregon rrugën drejt së ardhmes”, u ka thënë Karacsony mbështetësve të tij.
Orban në anën tjetër ka thënë se partia e tij Fidesz pritet të fitojë shumicën e garave në qytete tjera, duke shtuar se shuma e votave që ka fituar kjo parti në të gjitha komunat tregon se aleanca e tij e krahut të djathtë vazhdon të jetë më e forta në Hungari.
Megjithatë ai ka thënë se Fidesz duhet të bëjë disa ndryshime të politikave, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.
Naz Masraff, analist nga Instituti, Inteligjenca Teneo ka thënë se ky rezultat tregon se bashkëpunimi mes partive opozitare mund të vazhdojë në zgjedhjet e përgjithshme më 2022./REL/
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...