CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka një “parandjenjë të keqe” në lidhje me ekonominë dhe duhet të shkurtojë rreth 10% të vendeve të punës në shtëpinë automobilistike elektrike – shkroi ai në një email drejtuar drejtuesve, publikuar në Reuters.
Mesazhi, i dërguar të enjten dhe i titulluar “pezullim gjithë punësimeve në gjithë botën” – vjen dy ditë pasi miliarderi urdhëroi punonjësit të kthehen në vendin e punës, ose ndryshe të largohen, duke iu shtuar paralajmërimeve në rritje nga drejtuesit e kompanive mbi rreziqet e recesionit.
Në fund të vitit 2021, në Tesla dhe në filialet e saj, ishin thuajse 100 mijë persona të punësuar– sipas dokumentit vjetor të SEC. Kompania nuk ishte menjëherë e gatshme për të bërë një koment.
Aksionet e Tesla-s ranë thuajse 3% të premten në SHBA, kurse aksionet e saj të listuara në Frankfurt ranë 3.6% pas raportit të Reuters.
Kontratat e së ardhmes Nasdaq në SHBA u kthyen negative dhe u tregtuan 0.6% më të ulëta.
Musk ka paralajmëruar në javët e fundit mbi rreziqet e recesionit, por email-i që urdhëronte ndalimin e punësimeve të reja dhe shkurtimin e stafit është mesazhi më i drejtpërdrejtë i profilit më të lartë të një drejtuesi të një shtëpie automobilistike
Deri më tani, kërkesa për makina Tesla dhe automjete të tjera elektrike (EV) ka mbetur e fortë dhe shumë tregues tradicionalë të një krize – duke përfshirë rritjen e inventarëve të koncesionarëve dhe stimujve në Shtetet e Bashkuara – nuk janë materializuar.
Por Tesla ka luftuar për të rifilluar prodhimin në fabrikën e saj në Shangai, pasi bllokimet e COVID-19 detyruan ndërprerje të kushtueshme.
“Parandjenja e keqe e Musk është e përhapur te shumë njerëz” – deklaroi Carsten Brzeski, përgjegjës global i kërkimit makroekonomik të bankës holandeze ING.
“Nuk e kemi fjalën për recesion global. Ne presim ngadalësim të ekonomisë në mbarë botën në fund të vitit. Ekonomia e SHBA-së do të ngadalësohet, ndërsa Kina dhe Europa nuk do të rimëkëmben”.
Parashikimet e zymta të Musk vijnë pas komenteve të drejtuesve si CEO i JPMorgan Chase & Co, Jamie Dimon, dhe presidenti i Goldman Sachs, John Waldron. Dimon deklaroi këtë javë se “pritet të vijë një uragan”.
Inflacioni në SHBA është në nivelet më të larta të 40 viteve të fundit dhe ka shkaktuar rritje të kostos së jetesës për amerikanët, ndërsa Rezerva Federale është përballë detyrës së vështirë për të ulur kërkesën dhe të frenojë inflacionin, pa shkaktuar recesion.
Musk, njeriu më i pasur në botë sipas Forbes, nuk i shtjelloi arsyet e “parandjenjës së tij të keqe” mbi perspektivat ekonomike në email-in e shkurtër dërguar Reuters.
Pezullimi i gjithë punësimeve
Përpara paralajmërimit të Musk, Tesla kishte rreth 5 mijë njoftime pune në LinkedIn, nga shitjet në Tokio, të superfabrika e saj e re në Berlin e deri tek shkencëtarët e deep learning në Palo Alto. Tesla kishte programuar gjithashtu një event për punësim online për Shangain, më 9 qershor në kanalin WeChat.
Kërkesa e Musk për rikthimin e personelit në zyrë është përballur me reagime në Gjermani. Plani i tij për të shkurtuar vendet e punës do të përballet me rezistencë në Holandë, ku Tesla ka selinë e vet europiane, tha një udhëheqës sindikate.
“Nuk mundet që ju thjesht t’i pushoni nga puna punëtorët holandezë” – tha zëdhënësi i sindikatës FNV, Hans Walthie, duke shtuar se Tesla duhet të negociojë me një këshill pune kushtet e largimeve.
Në një email të martën, Musk shkroi se punonjësit e Tesla duhet të punonin në zyrë për minimumi 40 orë në javë, duke i mbyllur derën çdo lloj pune në distancë.
“Nëse nuk paraqiteni, do të mendojmë se keni dhënë dorëheqjen” – shkruante Musk në email. Në komentet e fundit, Musk i është referuar vazhdimisht rrezikut të një recesioni. Në mes të majit, në një konferencë në Miami Beach, Musk deklaroi: “Mendoj se me shumë gjasa jemi në recesion dhe se ai do të përkeqësohet”.
Në fund të majit, kur u pyet në Twitter nëse do të vinte një recesion, Musk u përgjigj: “Po, por në të vërtetë kjo është një gjë e mirë. Prej një kohe të gjatë bie shi parash mbi budallenjtë. Është e nevojshme të ndodhin disa falimentime”./monitor/
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...