Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, demokrati Joe Biden dhe republikani Donald Trump, i janë rikthyer fushatës elektorale pas debatit të tyre të parë javën e kaluar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, paraqitja e dobët e Presidentit Biden në debat ka bërë që disa anëtarë të partisë demokrate të shqyrtojnë mundësinë e zëvendësimit të tij me një kandidat më të ri.
Donald Trump-i dhe Joe Biden-i vazhduan fushatat e tyre pas debatit të parë javën e kaluar, ku presidenti demokrat pati një paraqitje të dobët. Zoti Biden po përpiqet t’i sigurojë mbështetësit se ai është i gatshëm për një mandat të dytë.
“U jap fjalën time se nuk do të kandidoja më nëse nuk do të besoja me gjithë zemër dhe shpirt, se mund ta bëj këtë punë, pasi këto zgjedhje kanë shumë rëndësi”, tha Presidenti Biden.
Fushata e zotit Biden për mbledhje fondesh gjatë fundjavës ishte një tjetër mundësi për të qartësuar shqetësimet mes disa demokratëve se paraqitja e dobët në debat nënkuptonte zëvendësimin e tij me një kadidat të ri.
“Po të kishin një kandidat demokrat më të ri dhe energjik, njerëzit do ta shfrytëzonin këtë mundësi menjëherë për ta mundur Trumpin”, thotë Larry Sabato me Universitetin e Virxhinias.
Republikani Trump tha se debati tregoi se këto zgjedhje janë një zgjedhje midis të dobëtit dhe të fortit.
“Pyetja që çdo votues duhet t’i bëjë vetes nuk është nëse Joe Biden mund t’i mbijetojë një debati 90-minutësh, por nëse Amerika mund t’u mbijetojë katër viteve të tjera të gënjeshtarit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë”.
Republikani Trump tha në një tubim pas debatit se ai besonte se demokrati Biden do të qëndrojë në garë.
“Pas debatit, shumë njerëz po thonë se Joe Biden do të tërhiqet nga gara. Por në fakt nuk e besoj këtë, sepse anketat tregojnë se ai ka mbështetjen më të madhe se çdo emër tjetër që po lakohet”.
Mes emrave që po përmenden si një mundësi për ta zëvendësuar kandidatin Biden janë nënpresidentja Kamala Harris, guvernatorja e shtetit të Miçiganit Gretchen Whitmer, guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Illinoit J.B. Pritzker.
Asnjë prej tyre nuk po bën thirrje për zëvendësimin e zotit Biden. Ndryshimi i kandidatëve përpara kuvendit demokrat në gusht do të kërkonte që zoti Biden të tërhiqej nga gara.
“Në këtë rast, ata duhet ta bindin zotin Biden dhe kjo do të jetë e vështirë. Po ashtu duhet ta bindin Jill Biden çka mund të jetë edhe më e vështirë”, thotë Larry Sabato me Universitetin e Virxhinias.
Zonja e parë tha në një tubim pas debatit se zoti Biden tregoi se ai ishte zgjidhja më e mirë për Amerikën.
“Ajo që patë në skenën e debatit ishte Joe Biden-i, një president me integritet dhe karakter që tha të vërtetën. Donald Trumpi gënjeu vazhdimisht”, tha Dr. Jill Biden.
Një sondazh i rrjetit CBS pas debatit tregoi se shumica e demokratëve besojnë se zoti Biden duhet të jetë ende kandidati i tyre. Por kuvendet e partive janë ato që do të kenë ndikim më të madh tek votuesit sesa debatet, thotë Julia Azari, profesore e shkencave politike në Universitetin Marquette.
“Hulumtimet e shkencave politike tregojnë se kuvendet kanë rëndësi për votuesit dhe ndikojnë tek vota e tyre në nëntor, por jo debatet”.
Pas debatit, këshilltarët e Presidentit Biden biseduan me anëtarët e këshillit drejtues të Partisë Demokrate lidhur me kuvendin e ardhshëm. Disa anëtarë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se vlerësimi i këshilltarëve për mundësinë e rizgjedhjes ishte tepër rozë duke i lënë kryesisht mënjanë kritikat për paraqitjen e dobët në debat./voa/
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin
Vrasja e Martin Canit, nxënës, mësues dhe prindër me marshim...
Tubim në Gjirokastër, Kumbaro: Kënaqësi të bisedosh me gjiro...
Joe Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën
Kurti për suksesin e Telekomit: I vetmi vend në rajon që nuk...