Prokurori i Posaçëm Robert Mueller tha se ngritja e akuzave kundër Presidentit Donald Trump për krim nuk ishte një mundësi që të mund të merrej parasysh nga zyra e tij.
Ai tha se lidhur me këtë ishte i detyruar t’u përmbahej opinioneve të deritanishme të Departamentit të Drejtësisë, që thonë se një president nuk mund të paditet gjatë kohës që është në detyrë.
Këto ishin komentet e para publike të zotit Mueller rreth hetimit të tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Ai tha se do të ishte e padrejtë që të ngrinte akuza ndaj dikujt për një krim, kur personi nuk mund të dilte në gjyq për t’u mbrojtur.
Prokurori i posaçëm njoftoi se po largohej nga Departamenti i Drejtësisë për t’u kthyer në jetën private. Ai ka qenë partner në firmën ligjore WilmerHale në Uashington, D.C. para emërimit të tij për për hetimin mbi Rusinë në maj 2017.
Lidhur me pyetjen nëse zoti Trump pengoi hetimin, zoti Mueller shkruante në raportin e tij prej 448 faqesh se, ndërsa ai nuk mund të bënte një rekomandim për ngritje akuzash, ai po ashtu as nuk mund ta shfajësonte prtesidentin.
Duke folur përpara gazetarëve të mërkurën, zoti Mueller tha “Nëse do të kishim besim se presidenti në mënyrë të qartë nuk do të kishte kryer krim, ne do ta kishim thënë këtë.”
Komentet e zotit Mueller u bëjnë jehonë përfundimeve në raportin e tij.
Raporti i prokurorit Mueller zbuloi se Presidenti Donald Trump u përpoq të merrte kontrollin e hetimit të Rusisë dhe të detyronte largimin e zotit Mueller për të mos e lejuar që të hetonte pengimin e mundshëm të drejtësisë nga presidenti.
Zoti Trump e ka quajtur hetimin një gjueti shtrigash.
Në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha: “Zoti Mueller në mënyrë të qartë tha se nuk ka asgjë për të shtuar përtej raportit dhe prandaj nuk planifikon të dëshmojë përpara Kongresit”.
“Raporti ishte i qartë – nuk pati bashkëpunim të fshehtë, asnjë komplot – dhe Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se nuk pati pengim të drejtësisë. Prokurori i posaçëm Mueller deklaroi gjithashtu se Prokurori i Përgjithshëm Barr veproi me mirëbesim në trajtimin e raportit,” tha zonja Sanders. Pas dy vitesh, Prokurori i posaçëm po kalon në një fazë të re të jetës së tij, dhe gjithë të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë.”
Pas deklaratës së zotit Mueller, zoti Trump shkroi në Twitter: “Asgjë nuk ndryshon nga Raporti Mueller, nuk pati dëshmi të mjaftueshme dhe për këtë arsye, në një vend si yni, njeriu konsiderohet i pafajshëm.”
Kryetari i Komisionit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Jerry Nadler iu përgjigj komenteve të zotit Muell duke thënë se: “i takon Kongresit për t’u përgjigjur krimeve, gënjeshtrave dhe keqbërjeve të tjera të Presidentit Trump – dhe ne do ta bëjmë këtë.”
Në komentet e tij të mërkurën, Prokurori i posaçëm Mueller theksoi se “ka patur përpjekje të shumta dhe sistematike për të ndërhyrë në zgjedhjet tona” nga Rusia. Ai e quajti atë një “sulm të koordinuar ndaj sistemit tonë politik”.
“Kjo meriton vëmendjen e çdo amerikani,” tha ai./voa/
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...