Prokurori i Posaçëm amerikan, Robert Mueller po mbron ligjshmërinë e grumbullimit të dhjetra mijëra emaileve të ekipit të tranzicionit presidencial të Donald Trumpit, megjithëse zyrtarët e zotit Trump u vunë në dijeni vetëm javën e kaluar se një agjenci qeveritare kishte dorëzuar emailet, para disa muajsh.
Emailet vinin nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit të tranzicionit dhe mbulojnë një periudhë nga koha kur zoti Trump u zgjodh në fillim të nëntorit 2016 deri kur mori detyrën më 20 janar 2017.
Mesazhet përfshijnë diskutime për sigurinë kombëtare dhe objektivat e mundshme fillestare të politikës së jashtme, si edhe vlerësime të kandidatëve për poste në administratën e re.
“Kur kemi marrë emailet si pjesë e hetimit tonë, kemi siguruar ose miratimin e personit që i takonte emaili ose autorizimin e duhur”, tha një zëdhënës i zoit Mueller të dielën herët.
Prokurori i Posaçëm ia kishte kërkuar mesazhet Administratës për Shërbime të Përgjithshme, një agjenci qeveritare që menaxhon godinat dhe pronat federale, ku punonte ekipi i tranzicionit dhe kompjuterat e së cilës kishte përdorur për emailet. Agjencia pa informuar ekipin e tranzicionit, i dorëzoi ato më 1 shtator.
Kory Langhofer, një jurist që përfaqëson ekipin e tranzicionit të quajtur “Trump për Amerikën”, paraqiti të shtunën një ankesë në komisionet e mbikqyrjes së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se Mueller i kishte marrë emailet, megjithëse “e dinte që emailet në fjalë nuk ishin as në pronësinë, as në kontrollin e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme”.
Avokati i zotit Trump tha se prokurorët e zotit Mueller kanë “përdorur gjerësisht materialet në fjalë” në hetimin mbi lidhjet me Rusinë. Langhofer tha se prokurorët e dinin se disa nga materialet ishin të mbrojtura nga publikimi sepse kishin të bënin me diskutime private mes juristëve të tranzicionit të zotit Trump dhe zyrtarëve që punonin për tranzicionin./VoA/
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?