Google ADS

Moska vë në shënjestër gazetarët e huaj

22:08 | 26 Dhjetor 2023
D.H

Mediat që mbulojnë Kremlinin po përballen me pasoja nga Rusia. Moska ka burgosur gazetarë amerikanë dhe ka shpallur një gazetar spanjoll si armik të vendit.

Për gazetarin spanjoll Ferran Barber dikur ishte diçka normale të ecte nëpër rrugët e Valencias. Por që kur emri i tij u përfshi në listën e zezë të Rusisë në gusht, asgjë nuk është më normale.

“Për habinë time, një ditë dikush më telefonon dhe më thotë se isha përfshirë në një nga listat e ‘armiqve të Rusisë’. Pastaj fillova të merrja kërcënime me vdekje”, thotë ai.

Gazetari Barber punon për disa gazeta spanjolle dhe shkruan mbi operacionet sekrete të Rusisë. Ai përpiqet të zbulojë se çfarë ndodh nën sipërfaqe në Moskë, duke mbuluar tema si aktivitetin sekret të agjentëve të Shërbimit Federal të Sigurisë ruse dhe sesi një ukrainas i shiste informacione Kremlinit.

Ai beson se kjo ishte arsyeja që u vu në shënjestër të grupeve pro-Kremlinit. Barber është një nga disa gazetarët e përfshirë në lista të tilla, të cilat analistët thonë se Rusia i përdor për të kërcënuar dhe diskredituar zërat e pavarur.

Pas përfshirjes në këto lista, ai filloi të merrte mesazhe të dhunshme dhe kërcënime me vdekje që dërgohen përmes mediave sociale dhe thotë se është e vështirë të përcaktohet se nga vijnë ato.

“Kur përpiqesh të gjesh origjinën e tyre, shpesh zbulon se personi që i ka shkruar është ndoshta në Kubë ose Venezuelë.”

Yana Gorokhovskaia është drejtore e kërkimeve në Freedom House.

“Ne e dimë se gazetarët janë në shënjestër të kërcënimeve, në internet ose jashtë internetit, janë nën mbikqyrje. Ndonjëherë zyrat e mediave jashtë vendit vandalizohen. Dhe kjo amplifikon ekosistemin e censurës dhe heshtjes.”

Kërcënimet ndonjëherë mund të përshkallëzohen nga verbale në fizike. Të paktën tre gazetarë rusë dhe kritikë të Kremlinit, të cilët shkuan në Evropë pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, besojnë se janë helmuar.

Grupe si Freedom House po monitorojnë veprimet ruse, të cilat përfshijnë përgjimin e sistemeve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor si Interpoli.

“Ata përdorin njoftimet e Interpolit që të paktën të përpiqen të arrestojnë njerëz. Informacionet nga Interpoli mund të rezultojnë në ndalime, ose arrestime. Në shumicën e rasteve, kjo nuk sjell në kthimin e njerëzve në Rusi, por mund të nënkuptojë një periudhë më të gjatë ndalimi.”

Në Spanjë, Barber thotë se kërcënimet ndaj tij – dhe burimeve të tij – nuk do ta pengojnë punën e tij, duke i thënë Zërit të Amerikës, “Ata nuk mund të na frikësojnë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme