Moska paralajmëroi të hënën se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania. Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron.
Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, sekretari Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. “Ndërsa Rusia po godet brenda Ukrainës, mund ta kuptoni përse Ukraina ndjen nevojën të sigurohet që po mbrohet”, tha zoti Cameron gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar.
Zoti Cameron tha gjithashtu se Londra nuk ka vendosur parakushte për mënyrën se si do t’i përdorin forcat ukrainase armatimet e dhëna nga Britania.
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin për të goditur Rusinë armatime të furnizuara nga Britania, Moska mund të kundërpërgjigjet ndaj “çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë”.
“Ambasadorit iu bë thirrje të reflektojë për pasojat e pashmangshme katastrofike nga hapa të tilla armiqësore nga Londra dhe të refuzojë menjëherë në mënyrën më të fortë dhe pa ekuivok deklaratat luftarake dhe provokative nga drejtuesi i Zyrës së Jashtme”, thuhet në deklaratën e Rusisë.
Më herët, Rusia njoftoi se po planifikonte stërvitje të reja bërthamore pranë kufijve të Ukrainës, duke përmendur “kërcënimet” e bëra nga udhëheqës perëndimorë, përfshirë kryeministrin francez Emmanuel Macron dhe zyrtarët britanikë, si dhe në formë përgjigjeje ndaj manovrave të gjera stërvitore të NATO-s pranë kufijve të Rusisë.
UKRAINA VAZHDON RIPARIMIN E RRJETIT ENERGJITIK, NDËRSA SHTOHEN SULMET E RUSISË
Ukraina njoftoi ndërkaq të hënën se ka rikthyer energjinë për qindra mijëra persona që kishin mbetur pa drita pas sulmeve të forcave ruse gjatë natës. Ukraina pranon megjithatë se po përballet me “sfida urgjente” për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së saj energjitike.
Forcat ruse kanë goditur vazhdimisht objektet energjitike ukrainase, duke shkaktuar terr dhe furnizimin e energjisë në kuota të pakësuara në mbarë vendin. Mbi 400 mijë shtëpi patën mbetur pa energji në rajonin Sumy pasi forcat ruse goditën linjat e voltazhit të lartë, thanë zyrtarët ukrainas të energjitikës.
Forcat ruse kanë shtuar sulmet në rajonet Sumy dhe Kharkiv gjatë muajve të fundit, duke rritur frikën se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë tokësore në këto rajone, që u morën vetëm pjesërisht në fillimet e sulmit të forcave ruse.
Kievi gjithashtu thotë se Moska ka shtuar sulmet nga ajri dhe toka, ndërsa afron 9 maji, dita kur Rusia shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ukraina ndërkohë nuk ka municione të mjaftueshme dhe është në pritje të furnizimeve jetike nga Shtetet e Bashkuara./VOA
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...