Dy persona humbën jetën në një sulm me raketa në qytetin port ukrainas në brigjet e Detit të Zi Odesa, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbyen sulme me dronë dhe raketa. Forca ajrore ukrainase tha të dielën se rrëzoi 10 nga 14 dronët dhe një nga tre raketat që Rusia hodhi gjatë natës.
Oleh Kiper, guvernatori rajonal i Odesës tha se personat që vdiqën në periferi të Odesës të shtunën mbrëma ishin një çift i martuar dhe se një person tjetër u plagos në sulm. Të paktën 41 persona u plagosën pasditen e së dielës kur një bombë ajrore ruse goditi një ndërtesë shumëkatëshe banesash në Kharkiv, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov, duke shtuar se bomba e komanduar goditi katin e 10-të të ndërtesës dhe zjarri u përhap në katër kate. Ai tha se u dëmtuan edhe dymbëdhjetë ndërtesa të tjera.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 29 dronë ukrainas gjatë natës së të dielës mbi rajonet perëndimore dhe jugperëndimore, pa shkaktuar dëme. Ministria tha gjithashtu se një tjetër dron ukrainas u rrëzua të dielën në mëngjes mbi rajonin perëndimor të Ryazanit.
Ndërsa Ukraina dhe Rusia kryejnë rregullisht bastisje me drone gjatë natës në territorin e njëra-tjetrës, zyrtarët ukrainas në përgjithësi nuk konfirmojnë ose mohojnë sulmet brenda kufijve të Rusisë.
Sulmet e fundit vijnë pasi Ukraina bëri një thirrje të re të shtunën ndaj Perëndimit për ta lejuar atë të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga vendet partnere të Ukrainës, për të goditur objektivat në thellësi të Rusisë, ndërsa forcat ukrainase luftojnë për të frenuar përparimet ruse në Ukrainën lindore.
Deri tani, Shtetet e Bashkuara e kanë lejuar Kievin të përdorë armë të dërguara nga Amerika vetëm në një zonë të kufizuar brenda kufirit të Rusisë me Ukrainën. Zyrtarët e Kievit argumentojnë se armët janë jetike për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të goditur Ukrainën dhe për ta detyruar atë të largojë aftësitë e saj sulmuese nga kufiri.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje përsëri të dielën thirrje Perëndimit që të ndryshojë politikën për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, duke vënë në dukje se Rusia kishte lëshuar “rreth 30 raketa të llojeve të ndryshme, më shumë se 800 bomba ajrore të komanduara dhe gati 300 dronë sulmues kundër Ukrainës” këtë javë.
“Ukraina ka nevojë për mbështetje të fortë nga partnerët tanë për të mbrojtur jetë përballë terrorit rus – mbrojtje ajrore, aftësi me rreze të gjatë veprimi, mbështetje për luftëtarët tanë. Gjithçka që do të ndihmojë ta detyrojë Rusinë t’i japë fund kësaj lufte”, tha zoti Zelenskyy në platformën X.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...