Udhëheqësit evropianë duhet të shmangin gabimin e negocimit për përfundimin e luftës në Ukrainë me Vladimir Putinin, sepse “ai nuk është një burrë shteti, por një bandit”.
Ky është paralajmërimi i ashpër i Mikhail Khodorkovsky, biznesmeni i mërguar që dikur konsiderohej njeriu më i pasur në Rusi dhe sot është një kritik kryesor i presidentit të vendit, shkruan Euronews.
Siç kujton mediumi në fjalë, që kur Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, disa liderë, veçanërisht presidenti Emmanuel Macron i Francës, janë angazhuar në telefonata me Putinin në një përpjekje për të ndryshuar mendjen e tij – pa dobi.
Gjithashtu edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri italian Mario Draghi dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel kanë zhvilluar të gjithë telefonata të pasuksesshme me homologun e tyre rus.
Kancelari austriak Karl Nehammer madje udhëtoi në Moskë për t’u takuar personalisht me Putinin.
Dhe kjo fushatë diplomatike është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas Volodymr Zelensky, si dhe nga Polonia dhe shtetet baltike, të cilët i konsiderojnë thirrjet një formë “qetësimi me një kriminel lufte të dyshuar”.
Në këtë drejtim, në një intervistë me Euronews, Mikhail Khodorkovsky dha një vlerësim të ngjashëm për këtë çështje.
“Udhëheqësit e vendeve të mëdha evropiane ende besojnë se mund të negociojnë diçka me Putinin pa demonstruar forcën e tyre dhe se ata mund të bisedojnë me të nga ajo që ai e percepton si një pozicion të dobët. Dhe ky është një gabim dramatik sepse ai nuk është një burrë shteti si ata, është veçse një bandit”, citohet të ketë thënë Khodorkovsky.
“Dhe çfarë bën një bandit në këtë lloj situate kur e konsideron veten të fortë dhe kur shtyhet të bëjë një hap drejt tyre? Ai përpiqet ‘të përfundojë punën me viktimën e tij’”.
Ai ka vënë theksin edhe në tavolinën tepër të gjatë që presidenti rus përdor për të mirëpritur shumicën e liderëve të huaj që është bërë simboli i përsosur i dëshirës së tij të patundur për të mbajtur distancë të rreptë sociale dhe për të parandaluar një infeksion COVID-19.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë spekuluar më parë për ndikimin e këtij izolimi ekstrem në mendësinë e presidentit.
“… Ky [pushtim] është një përzierje e pragmatizmit – një dëshirë për t’u bërë më popullor me elektoratin – dhe njëfarë frike paranojake për atë që po ndodh në vendin fqinj [Ukrainë]”, tha ish-oligarku.
Dikur një manjat energjetik me lidhje të ngushta me Kremlinin, Khodorkovsky u burgos për akuza në lidhje me mashtrimin dhe pastrimin e parave, një proces gjyqësor që u dënua gjerësisht si i motivuar politikisht.
Pas lirimit të tij në vitin 2013, ai shkoi në mërgim në Zvicër dhe nisi iniciativën civile “Open Russia”.
Ndërsa i pyetur se si do të përfundojë lufta, biznesmeni citoi parashikimin e bërë nga Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së.
“Unë u befasova nga zoti Borrell, ai është një burokrat evropian dhe nuk prisja ndonjë fjalë të ashpër prej tij, por ai tha disa fjalë shumë korrekte: kjo çështje nuk do të zgjidhet në tryezën e bisedimeve, por në fushën e betejës”, ka thënë Khodorkovsky.
“Natyrisht, ne do të kemi negociata në fund të kësaj lufte, por para së gjithash ky konflikt do të zgjidhet në fushën e betejës dhe nuk ka alternativë për këtë”.
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike