Duke folur në Singapor, Moon ka thënë se bisedimet për denuklearizim mes SHBA-së dhe Koresë Veriore mund të përballen me vështirësi dhe mund të marrin kohë, ka njoftuar zyra e tij.
“Askush nuk mund të jetë optimist për rezultate, mirëpo sipas pikëpamjes sime, negociatat mund të kenë sukses nëse verikoreanët kryejnë denuklearizim të plotë dhe komuniteti ndërkombëtar bënë përpjekje për të krijuar siguri te Koreja Veriore”, ka thënë Moon.
Kriticizmi i verikoreanëve ka qenë “strategji” që ka synuar të shfaqë zemërimin e tyre, në atë që e kanë konsideruar si mungesë të hapave të marrë nga SHBA-ja, në krahasim me veprimet e Koresë Veriore, ka thënë Moon.
Autoritetet e Koresë Veriore kanë ftuar gazetarë, por jo edhe ekspertë siç kishin premtuar për të shkatërruar një zonë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore kanë ndalur stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të cilat Koreja Veriore i ka kundërshtuar për vite.
Moon ka thënë se Koreja Veriore ka kërkuar që SHBA-ja të marrë hapa dhe t’iu japë fund marrëdhënieve armiqësore duke ndërtuar besim.