Shefi i inteligjencës të Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë të Moldavisë (SIS) paralajmëroi se Rusia po planifikon veprime të reja për të destabilizuar shtetin, përderisa Moldavia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale dhe një referendum për integrimin në Bashkimin Evropian.
Alexandru Musteata tha gjatë një konference për media në Kishiniev se SIS-i posedon “disa të dhëna” lidhur me veprimet e planifikuara gjatë këtij viti dhe në vitin e ardhshëm që do të komprometonin anëtarësimin e Moldavisë në BE dhe do ta kthenin shtetin në sferën e ndikimit të Rusisë.
“Detajet e strategjive për vitin 2024 dhe 2025 përfshin mbështetjen e aktorëve politikë prorusë, që kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës, grupet e krimit të organizuar dhe me udhëheqjen në Kremlin”, tha Musteata.
Aktori më i rëndësishëm në kryerjen e veprimeve destabilizuese do të ishte grupi i drejtuar nga oligarku Ilan Shor, tha Musteata.
Shor, që udhëheqë partinë Shor të mbështetur nga Moska, ishte dënuar në mungesë me 15 vjet burgim vitin e kaluar lidhur me akuza për mashtrim dhe pastrim parash në lidhje me zhdukjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave. Partia Shor është shpallur e paligjshme, ndërkaq vet Shor është larguar për në Izrael.
Shor dhe partia e tij po ashtu janë sanksionuar nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja nën dyshimet se janë përpjekur të destabilizojnë situatën në Republikën e Moldavisë dhe duke vepruar për interesa të Rusisë.
“Ne parashohim se përpjekjet do të bëhen për të nxitur disa kriza shoqërore dhe politike, për të nxitur përplasje dhe tensione ndëretnike që do të çonin në kriza të sigurisë në rajonin të Gagauzit apo në Transnistri”, tha Musteata.
Rajoni gjysmëautonom i Gagauzisë është i banuar kryesisht nga turqit gagauzë, që flasin rusisht dhe kanë adoptuar krishterimin ortodoks rus.
Nën presidenten properëndimore Maia Sandu, e cila erdhi në pushtet pasi mposhti presidentin paraprak të mbështetur nga Rusia, Igor Dodon, më 2020, Moldavia mori një rrugë të qartë evropiane, teksa dënoi fuqishëm pushtimin rus të Ukrainës.
Më 2022, Kishinievi mori ftesë për të hapur negociatat me BE-në dhe pritet të mbajë këtë vit një referendum mbarëkombëtar për anëtarësimin në bllokun evropian prej 27 anëtarësh.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare po ashtu janë caktuar që të mbahen më vonë gjatë këtij viti dhe Sandu planifikon që të garojë për një mandat të dytë. Partia e saj, PAS, ka fituar mbi 40 për qind të votave në zgjedhjet lokale dhe sondazhet e vendosin të parën në zgjedhjet parlamentare./rel
Përfundon operacioni për valixhen e dyshimtë në Ferizaj, zbu...
Raportohet për një valixhe të dyshimtë në Ferizaj, policia j...
Sveçla jep detaje të reja për aksionin e sotëm në veri
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...