Autoritetet në Moldavi thanë se kanë identifikuar më shumë se njëqind të rinj, që dyshohet se janë stërvitur në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, me qëllim destabilizimin e atij vendi.
Policia moldave arrestoi katër prej tyre, u raportua më 17 tetor.
Kreu i Inspektoratit Kryesor të Policisë, Viorel Cernauțeanu, tha se të katërtit u arrestuan një ditë më parë dhe u dërguan në paraburgim për 30 ditë, raporton Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë.
Rreth 100 persona të tjerë janë “dokumentuar” dhe po hetohen, porse mbeten në kërkim.
Dyshohet se ata planifikuan “destabilizimin” e Republikës së Moldavisë, pas zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit të 20 tetorit.
Cernauțeanu tha se disa të rinj kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me policinë.
Policia publikoi pamjet e kamerave të fshehta nga stërvitjet e supozuara në Rusi, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ku mund të shihen të rinj në klasa, teksa “ushtrohen për protesta” dhe thërrasin slogane si “gjuha jonë është ruse”, “jo shtetësisë së dyfishtë” dhe “ne nuk duam të hyjmë në Evropë”.
Autoritetet në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi nuk reaguan ende ndaj këtyre informacioneve.
Në videon, e cila supozohet se tregon skena nga një kamp stërvitor në Ballkan, të rinjtë shfaqen duke mësuar të bëjnë eksploziv dhe të përdorin dron.
Sipas policisë, të rinjtë janë rreth 20 vjeç dhe kanë udhëtuar drejt Rusisë për stërvitje nga qershori deri në tetor.
Disa prej tyre janë trajnuar edhe në kampet në Serbi dhe në Bosnje të grupeve ushtarake private ruse, Ferma dhe Wagner, njoftuan autoritetet moldave.
“Ata janë trajnuar për përçarje kombëtare, destabilizim të rendit kushtetues, taktika të sfidimit të agjencive të zbatimit të ligjit dhe përdorim të armëve, të cilat do t’i përdornin në protesta të organizuara ose me pretekstin e eliminimit të kandidatëve të caktuar apo manipulimit të zgjedhjeve”, tha shefi i policisë moldave.
Autoritetet në Kishinjev dhe disa qeveri perëndimore paralajmëruan në fillim të qershorit se Rusia dhe oligarku i arratisur nga Moska, Ilan Shor, planifikojnë të organizojnë trazira masive, nëse zgjedhjet presidenciale të Moldavisë dhe referendumi për anëtarësimin në BE përfundojnë me rezultate të pafavorshme për Kremlinin.
Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen së bashku me një referendum që do t’i pyesë votuesit nëse Moldavia duhet të ketë mundësi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Shtetet e Bashkuara përsëritën më 15 tetor se Rusia po përpiqet t’i minojë zgjedhjet, duke shpenzuar miliona dollarë për këtë qëllim.
BE-ja e kritikoi gjithashtu Rusinë dhe i bëri thirrje asaj që t’i ndalojë “provokimet dhe përpjekjet për ta destabilizuar Moldavinë”, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit.
Moldavia e siguroi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2022 dhe nisi bisedimet e anëtarësimit me bllokun në fillim të këtij viti.
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...
U paraqitën si kosovarë në Angli, Rama u premton regjistrimi...
Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgj...
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...