Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Reagimi i kreut të Qeverisë greke pason betimin e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të dielën, më 12 maj, e cila u betua si presidente e “Republikës së Maqedonisë”.
Mitsotakis ka thënë se “Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat zonja Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore dhe t’u përmbahet obligimeve që dalin nga roli i saj si presidente.
“Ne deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë ‘lapsuse’ të ngjashme. Dhe, përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe, sigurisht, nga shmangia e sfidave”, transmetojnë mediat greke një deklaratë të kryeministri grek, Mitsotakis.
Në vitin 2018 Shkupi dhe Athina kanë nënshkruar atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.
Kjo marrëveshje i ka dhënë fund kontestit shumëvjeçar duke ua hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.
Marrëveshja nga pala maqedonase ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe Qeveria që drejtohej nga ai, si dhe nga ajo që pasoi e drejtuar nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski (të dy nga Lidhja Social Demokrate). Që të dy kanë respektuar në tërësi detyrimet e kësaj marrëveshjeje, duke përdorur emrin Maqedonia e Veriut.
Marrëveshja me Greqinë në vazhdimësi është kundërshtuar nga VMRO DPMNE-ja, e cila në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa drejtuesit e saj në disa raste kanë përsëritur se në komunikimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar do të përdorin emrin e vjetër të shtetit.
“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga ministri në largim, Bujar Osmani, ka bërë thirrje që të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme bëri thirrje për vigjilencë nga ana e aktorëve politikë, veçanërisht, siç thekson, nga të zgjedhurit e rinj të shtetit.
“Gjatë shtatë vjetëve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar me një rritje të shumëfishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe me përmirësimin e partneritetit strategjik në një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara”.
“Bëjmë thirrje për vigjilencë nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht të zgjedhurit e shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit, paraqet interes themelor strategjik dhe është garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Bazuar në Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut detyrohet që emrin e ri të shtetit ta zbatojë, si në përdorim të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Athina zyrtare së fundi kishte refuzuar një kërkesë të Shkupit për prolongimin e afatit për ndërrimin e dokumenteve personale edhe pas 12 shkurtit 2024, për shkak të pamundësisë për ndërrimin e tyre brenda afateve të parapara.
Pala greke në disa raste ia ka rikujtuar Shkupit se moszbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, mund të ketë pasoja në procesin e integrimit të saj në BE.
Lidhur me zhvillimet që nxiti betimi i presidentes së re, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian (BE) duke shprehur keqardhje që Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit.
“BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, në një komunikatë të dielën./Radio Evropa e Lirë/
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...