Më 7 qershor, autoritetet australiane trokitën në derën e një apartamenti në Sidnej. Posta ishte grumbulluar jashtë derës dhe qiramarrësit nuk kishin paguar qiranë për më shumë se 3 muaj.
Brenda, u gjetën 2 vajza të vdekura, të dyja motra nga Arabia Saudite, trupat e të cilave kishin qëndruar në dhoma gjumi të veçanta, për javë të tëra.
Dy muaj më vonë, me gjithë “hetimet e gjera”, policia mbetet konfuze rreth asaj që ndodhi me Asra Abdullah Alsehli, 24 vjeç dhe Amaal Abdullah Alsehli, 23 vjeç.
Nuk kishte shenja të hyrjes me forcë në banesë dhe nuk kishte shenja të dukshme lëndimi, tha policia, duke i përshkruar vdekjet si “të dyshimta” dhe “të pazakonta”.
Hetuesit janë ende duke pritur që një mjek ligjor të konkludojë se si vdiqën gratë. Mediat lokale raportuan se rezultatet fillestare të toksikologjisë dhe autopsisë nuk ishin përfundimtare.
“Ne nuk dimë shumë për vajzat,” – u tha gazetarëve detektivja Claudia Allcroft muajin e kaluar në një apel për ndihmë publike.
“Ne shpresojmë që dikush mund të jetë në gjendje të ndihmojë hetuesit tanë.”
Kush ishin ato?
Pak është bërë publike. Dyshja u transferua në Australi nga Arabia Saudite në vitin 2017 dhe kërkuan azil, por autoritetet nuk kanë thënë pse.
Policia tha se nuk ka asnjë fakt që familja e tyre të konsiderohet e dyshuar.
Të dyja gratë punonin si kontrollore trafiku ndërsa studionin në një shkollë të arsimit profesional. Nuk dihet se çfarë po studionin.
Fqinjët e motrave kanë thënë për mediat vendase se më së shumti ato kanë qëndruar me njëra tjetrën.
Menaxheri i ndërtesës së tyre u tha gazetarëve se dyshja i kishin kërkuar të kontrollonte pamjet e sigurisë në muajt para vdekjes së tyre. Sipas Michael Baird, ato kishin qenë të shqetësuara se dërgesat e tyre të ushqimeve ishin manipuluar. Pamjet nuk zbuluan asgjë.
Zoti Baird i kërkoi policisë që t’i kontrollonte ato në banesë në mars dhe vajzat u thanë oficerëve se ishin mirë.
Më vonë ai shkoi vetë dhe vajzat dukeshin si “dy harabela të vegjël… të frikësuar nga diçka”, tha zoti Baird për Sydney Morning Herald.
A ka ndonjë të dhënë?
Ndonëse policia mbetet e paqartë, rasti ka ngjallur interes të madh në Australi – ishte vetëvrasje, lojë e keqe apo diçka tjetër?
Raportet e mediave lokale japin disa të dhëna, por asnjë nuk është konfirmuar nga policia. Për më tepër, ky grumbull informacioni shpesh ka paraqitur një pamje të paqartë ose në dukje kontradiktore.
Gazetat australiane raportuan se njëra nga vajzat kishte frikë se mos persekutohej në Arabinë Saudite për shkak të seksualitetit të saj dhe tjetra ishte bërë ateiste. Si homoseksualiteti ashtu edhe ateizmi janë të paligjshëm në vendin konservator islamik.
Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC) raportoi se në dhomat e grave u gjetën gjerdane me kryqe të krishtera.
Një lajm tjetër tha se kërkesat e tyre për azil ishin refuzuar dhe ato kishin punuar fort për të paguar qiranë.
Një person i paidentifikuar i tha ABC-së se kishte parë një burrë të panjohur në hollin e ndërtesës së motrave disa herë para se ato të vdisnin. Kur u përball me të, ai tha se ishte në banesën e grave.
Është raportuar gjithashtu se Asra, motra e madhe, mori një urdhër ndalimi kundrejt një burri të paidentifikuar në vitin 2019, por e tërhoqi atë menjëherë më vonë.
Policia nuk ka komentuar asnjë nga këto raporte dhe BBC nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë ato në mënyrë të pavarur.
Komuniteti i emigrantëve saudit në panik
Vdekja e Asra dhe Amaal i kanë frikësuar gratë saudite në Australi.
“Shumë prej nesh po shikojmë pas krahëve tanë” – thotë Saffaa, një aktiviste dhe artiste që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj.
Familjet saudite mund të rrezikohen nëse gratë ikin apo pasi arrijnë jashtë vendit, thotë ajo për BBC.
Ajo tregon historinë e Dina Ali Lasloom, e cila në vitin 2017 shkoi në Filipine para se të detyrohej nga të afërmit të kthehej në Arabinë Saudite. Që atëherë ajo nuk është dëgjuar më.
Duke qenë se Asra dhe Amaal kishin arritur të largoheshin nga Arabia Saudite, Saffaa e ka shumë të vështirë të besojë se motrat vranë veten në Sydney, një qytet ku ato kishin jetuar për 5 vjet.
“Diçka padyshim që shkoi vërtet keq për to, saqë u frikësuan dhe u izoluan gjithnjë e më shumë,” thotë ajo.
“Australia nuk i ndihmoi ata”
Pavarësisht se si vdiqën gratë, është e qartë se Australia dështoi” – thotë studiuesja e Human Rights Ëatch, Sophie McNeill.
Çdo azilkërkues e gjen jetën “tepër të vështirë”, por gratë saudite janë “veçanërisht të pambrojtura”, thotë ajo për BBC.
“Nëse je sirian apo afgan, mund të takosh një rreth më të gjerë njerëzish që janë në një situatë të ngjashme, por komuniteti i azilkërkuesve femra saudite është vërtet i vogël dhe… ka shumë frikë, shumë paranojë”, tha znj. thotë McNeill.
Për më tepër, shumë prej tyre përballen me vështirësi financiare. Në Australi, azilkërkuesit që presin vlerësimin e kërkesave të tyre marrin një kompensim të vogël.
Saffaa pajtohet që gra të tilla përballen me rrethana të vështira. Një vendim për të refuzuar vizat e motrave – nëse është i vërtetë siç raportohet – do të kishte qenë “i pamatur dhe neglizhues” dhe do t’u shkaktonte atyre stres të jashtëzakonshëm, shton ajo.
“Unë jam ende e shqetësuar që ato nuk kishin askënd që t’i mbështeste”, thotë Saffaa.
Rasti nënvizon nevojën që Australia të mbështesë më mirë komunitetin e azilkërkuesve saudit, thonë të dyja gratë duke shtuar: “Ata erdhën këtu për siguri dhe ne nuk i ndihmuam.”/lapsi/
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist