Këshilli i çështjeve të përgjithshme i Bashkimit Evropian në takimin e ministrave të vendeve anëtare, ka miratuar të martën në Bruksel konkluzionet kushtuar procesit të zgjerimit.
Nëpërmjet tyre vendet anëtare të BE-së kanë përsëritur përkushtimin për vazhdimin e procesit të zgjerimit, bazuar në parimin e meritave individuale të vendeve që synojnë integrimin në BE, por edhe u kanë bërë thirrje atyre që të vazhdojnë procesin e reformave si dhe t’i zgjidhin edhe mospajtimet bilaterale.
Bashkimi Evropian, përmes këtyre konkluzioneve, u ka bërë thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre, duke ua rikujtuar se ky është edhe kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.
Nga Kosova në veçanti kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
“Këshilli përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi për implementim, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur, pa parakushte, sikur edhe të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja, po ashtu edhe të gjitha obligimet ekzistuese nga dialogu”, thuhet në këtë dokument ku nënvizohet thirrja që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit.
“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke nisur me përcjelljen e draftit të Statutit të cilin palëve ua kishte prezantuar lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovën, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”, thuhet ndër tjerash.
Në këto konkluzione, BE-ja do ta dënojë edhe një herë dhunën në veri të Kosovës, përfshirë sulmet e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, por edhe sulmet e vitit të kaluar në Banjskë dhe shpreh keqardhje të thellë se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.
“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për shtensionim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të shmangin retorikën përçarëse”, thuhet në këtë dokument.
Nëpërmjet këtyre konkluzioneve BE-ja ka thënë se masat ndaj Kosovës do të hiqen paralelisht me hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.
BE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës ta fillojë pa vonesa themelimin e Asociacionit
Theksohet një rikujtim për Kosovën dhe Serbinë se rruga e tyre drejt BE-së varet nga progresi në procesin e normalizimit të raporteve dhe se mungesa e këtij progresi do të ndikojë që ato të humbin rastin e duhur.
“Në përputhje me deklaratën e përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja ka implementuar masat e kthyeshme ndaj Kosovës. BE-ja do t’i heqë gradualisht këto masa paralelisht me hapat e tjerë të Kosovës për të shtensionuar situatën në veri. Këshilli do të mbetet duke u marrë me ketë çështje”, theksohet në këtë dokument.
Ndërkohë, vendet e BE-së kanë përshëndetur mbylljen e tre kapitujve në procesin e negociatave me Malin e Zi dhe hapjen e një grupkapitulli me Shqipërinë.
Sa i përket Serbisë, edhe pse Presidenca hungareze dhe Komisioni Evropian kanë bërë përpjekje maksimale që të hapet grupkapitulli 3, kjo nuk ka ndodhur pasi disa shtete e kanë bllokuar këtë vendim. Serbisë i rikujtohet se për të avancuar drejt BE-së duhet të bëjë më shumë përparim, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, por edhe në normalizimin e raporteve me Kosovën.
Serbia që nga dhjetori i vitit 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull. Në konkluzione, BE-ja shprehet se do t’i rikthehet hapjes së kapitujve me Serbinë sapo Beogradi të shënojë progres në këto pika.
Si kompromis vendet e BE-së janë pajtuar që Serbisë t’i dërgohet një letër nga Presidenca hungareze, nëpërmjet së cilës ftojnë Beogradin që të paraqesë pozicionin negociues për kapitujt në fjalë. Ky është një hap simbolik, por nuk parasheh edhe hapjeve të kapitujve pasi për një gjë të tillë sërish nevojitet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian./rel/
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...
Reduktimet e rrymës, reagon Daut Haradinaj: Hajnia me GEN-in...
Berisha uron Krishtlindjet nga Kisha Katolike: Magjia e kësa...
Siljanovska me kritika ndaj BE-së në fjalimin vjetor: Është ...
Vetura përplas për vdekje një 50-vjeçar që lëvizte me biçikl...