Minstri francez: Nuk përjashtojmë asnjë opsion kundër Rusisë

18:58 | 4 Mars 2024
D.H

“Asnjë opsion nuk do të përjashtohet kundër pushtuesit.” Kështu është shprehur ndër të tjera në një intervistë për gazetën franceze, Le Journal Du Dimanche, ministri francez për çështjet europiane, Jean-Noel Barot.

Në këtë intervistë theksohet nevoja që Bashkimi Europian të qëndrojë i palëkundur ndaj Rusisë.

“Lufta e ukrainasve është gjithashtu edhe e jona, sepse fantazia imperialiste e Putinit nuk kufizohet qartë në Ukrainë. Do të ishte një gabim serioz të përjashtoheshin opsionet. Do të ishte mëkat t’i dorëzoheshim frymës së kapitullimit. Stabiliteti ynë përballë Putinit është garancia e sigurisë sonë”, deklaroi Jean-Noel Barot, duke nënvizuar se Franca, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka vepruar në koordinim të plotë me partnerët e saj në NATO dhe BE.

Lidhur me çështjen e Mbrojtjes së kontinentit të vjetër, ministri francez theksoi se ajo ka marrë një dimension krejtësisht tjetër që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë, veçanërisht me Mekanizmin Evropian të Paqes, i cili bëri të mundur financimin e trajnimit të ushtarëve ukrainas, transferimi i pajisjeve ushtarake në Ukrainë dhe sot na mundëson operacione të përbashkëta të prokurimit dhe prodhimit të armëve.

Në lidhje me sulmet kibernetike nga pala ruse, ndër të tjera, Jean-Noel Barot u shpreh se prej dy vitesh Franca është shënjestër e dëshirës së Rusisë për agresion në fusha të ndryshme, përfshirë informacionin dhe IT-në”.

“Ndërsa zgjedhjet evropiane dhe Lojërat Olimpike afrohen, këto sulme mund të shumohen”, paralajmëron zyrtari francez.

Së fundi, sa i përket trajtimit të emigracionit në nivel të Unionit, Jean-Noel Barot u shpreh se “Pakti për Azilin dhe Migracionin forcon aftësinë e vendeve anëtare për të mbrojtur në mënyrë efektive kufijtë e jashtëm të BE-së, veçanërisht me procedurat e detyrueshme kufitare dhe instrumentet e forcuara: regjistrimin, filtrim, tërheqje, kthime./a2cnn

Të ngjashme