Ministri turk i Mbrojtjes hedh akuza të reja ndaj Greqisë dhe Qipros

10:42 | 14 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Turqia ka “probleme” në Egje dhe Mesdheun Lindor për shkak të “politikave dhe pretendimeve me mendje ekspansioniste” të Greqisë dhe Qipros, u tha ligjvënësve në Ankara ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Duke folur në Asamblenë e Madhe Kombëtare, gjatë një debate mbi buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, Akar tha se këto politika dhe pretendime “përfshijnë programe të prokurimit të armëve dhe krijimin e të ashtuquajturve aleanca”, shkruajnë mediat turke, transmeton portal arbresh.info

Akar vazhdoi duke akuzuar në mënyrë specifike Greqinë se ka sfiduar “ftesat për dialog me qëllime të mira” të Ankarasë dhe se është në shkelje të Traktatit të Lozanës me “të gjitha llojet e padrejtësive dhe aktiviteteve të paligjshme”. Këtyre, shtoi ai, “po përgjigjet në tavolinë dhe në terren brenda kufijve të reciprocitetit”.

Ai iu referua gjithashtu prokurimit të diskutueshëm të raketave ruse nga Turqia, duke thënë se puna do të vazhdojë për vendosjen e sistemit S-400. Komenti i tij shihet si një tregues se Ankaraja nuk po planifikon të tërhiqet pavarësisht kundërshtimeve të forta nga Uashingtoni dhe NATO-s dhe kërcënimit të sanksioneve shtesë.

Ministri turk i mbrojtjes vuri në dukje gjithashtu disa pasiguri në lidhje me përgjigjen e Uashingtonit ndaj kërkesës së Ankarasë për të blerë avionë F-16 Viper dhe për të përmirësuar avionët e tjerë në flotën e saj.

“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara kanë një qëndrim pozitiv për këtë çështje. Po ndjekim me vëmendje zhvillimet. Megjithatë, në rast të një qëndrimi negativ, ne – siç është e natyrshme dhe e nevojshme duke pasur parasysh mjedisin armiqësor ku ndodhemi – do të detyrohemi të eksplorojmë alternativa tjera”, tha Akar./arbresh.info/

Të ngjashme