Deklaratat e fundit të ministrit izraelit të ekstremit të djathtë, kanë rindezur akuzat që palestinezët kanë bërë ndaj Izraelit prej dekadash, sipas së cilave ai po imponon një regjim aparteidi, duke zbatuar ligje të veçanta për izraelitët dhe palestinezët në Bregun Perëndimor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, sjell më shumë hollësi nga Jeruzalemi.
Kur zoti Itamar Ben-Gvir, ministri për siguri kombëtare i Izraelit, i njohur për qëndrime radikale, u intervistua së fundi në një televizion izraelit për valën e fundit të sulmeve terroriste palestineze kundër izraelitëve, ai bëri një dallim ndërmjet të drejtave të hebrenjve dhe arabëve në Bregun Perëndimor, të cilit i referohet me emrin biblik Judea dhe Samaria.
“E drejta ime, e drejta e gruas dhe fëmijëve të mi për të lëvizur të lirë nëpër Judea dhe Samaria është më e rëndësishme se e drejta e lëvizjes së arabëve”, thotë zoti Ben-Gvir.
Komentet e zotit Ben-Gvir ringjallën polemikat për Izraelin dhe aparteidin, si brenda vendit edhe jashtë tij. Supermodelja amerikane Bella Hadid, babai i së cilës është palestinez, e kritikoi fuqishëm deklaratën në Instagram, ku ajo ka 60 milionë ndjekës. Ministria palestineze e Punëve të Jashtme tha se deklarata e tij “vetëm konfirmon regjimin izraelit të aparteidit të bazuar në supremacinë herbreje.”
Shumë izraelitë shprehin pakënaqësinë ndaj cilësimit të vendit të tyre si shtet aparteidi dhe thonë se aparteidi është veçori e Afrikës së Jugut. Fjala aparteid do të thotë “ndarje” në gjuhën Afrikans të Afrikës së Jugut dhe i referohet politikës shtetërore të segregacionit dhe diskriminimit të qytetarëve në bazë të përkatësisë racore.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë dhënë së fundi në një media amerikane se akuza për aparteid ndaj Izraelit është “gjepur” dhe se rreziku i vërtetë në rajon është dëshira për spastrimin etnik të hebrenjëve.
Zoti Samuel Hyde është analist politik, që erdhi për të jetuar në Izrael nga Afrika e Jugut.
“Izraeli kurrë nuk ka aneksuar territore, prandaj palestinezët nuk janë qytetarë të shtetit të Izraelit. Janë grup i veçantë njerëzish që aktualisht nuk kanë shtet që për shkak të konfliktit jetojnë nën okupim ushtarak. Derisa Izraeli të mos i ketë aneksuar ato territore, nuk ka obligim që t’i japë shtetësi një grupi tjetër njerëzish dhe për këtë arsye nuk mund të renditet si shtet aparteidi”, thotë zoti Hyde.
Por shumë palestinezë thonë se edhe nëse Izraeli nuk e ka aneksuar zyrtarisht Bregun Perëndimor, ai kontrollon këtë territor për mbi 50 vjet. Kolonët izraelitë që jetojnë në Bregun Perëndimor qeverisen në bazë të ligjit civil izraelit, që u jep të drejta dhe liri, të cilat u mohohen palestinezëve, të cilët qeverisen me ligjin ushtarak izraelit.
Sipas zotit Sam Bahour, sipërmarrës palestinezo-amerikan, “Ben Gviri vetëm konfirmon se beson tek supremacia hebreje. Ai po thotë atë që besoj të gjithë ata që e shohin këtë situatë, e kanë të njohur prej kohësh, përfshirë të gjitha organizatat kryesore të të drejtave të njeriut. Ky është aparteid i plotë.”
Shumë organizata pro-Izraelit thonë se të akuzosh Izraelin për aparteid është një formë e anti-semitizmit ngaqë përdoret për të sulmuar në mënyrë disproporcionale shtetin hebre dhe jo shumë qeveri të tjera nëpër botë, që shkelin të drejtat e njeriut.
“Antisemitizmi i shprehur me akuzën e aparteidit është bërë një shpifje e njohur kundër shtetit të Izraelit në përgjithësi… Njerëzit e përdorin këtë cilësim, që në thelb është asgjësim i shtetit hebre dhe hebrenjëve”, thotë zoti Dan Diker nga Qendra për Marrëdhënie me Publikun në Jeruzalem.
Në prag të 30 vjetorit të Marrëveshjes së paqes së Oslos ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, që i tha formë kornizës për një zgjidhje me dy shtete, një marrëveshje e përhershme mbetet ende larg. Analistët thonë se praktika e zbatimit të ligjeve të dyfishta për dy grupe njerëzish, në një territor të njejtë, do të vazhdojë të mbajë gjallë akuzat për aparteid./VOA/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...