Ministri i Jashtëm çek thotë se Çekia ka përfituar nga takimet me Skripalin

17:47 | 14 Maj 2018
Arbresh.info
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Martin Stropnicky thotë se beson që shërbimi i inteligjencës së vendit të tij kanë përfituar nga informacionet që kanë marrë gjashtë vjet më parë nga Sergei Skripal, agjenti i dyfishtë rus, që u helmua me agjent nervor së bashku me vajzën e tij në qytetin britanik Sallsbëri më 4 mars.
 Stropnicky i tha Radios Evropa e Lirë se ai mendon se bisedimet sekrete mes Skripalit dhe agjentëve çekë në Pragë më 2012 ishin “bashkëpunim normal” në mes të shërbimit të inteligjencës çeke dhe britanike.

“Mbretëria e Bashkuar njihet si vend me shërbime që kanë informacione të mëdha”, tha ai.

“Si shkëmbim, apo si bashkëpunim, mua kjo më duket shumë logjike”, tha ai, duke shtuar se nuk di detaje lidhur me informacionet që Skripal ka ndarë me operativët çekë.

“Mund ta imagjinoj se informacionet kanë qenë të dobishme sepse kurrë nuk do ta besoja se Britania do të dërgonte ndonjë njeri problematik”, tha ai.

Sripal kishte qenë pjesëtar i shërbimit ushtarak të inteligjencës ruse GRU gjatë viteve të 90-a dhe më pas ka qenë agjent i dyfishtë për Britaninë.

Sergei Skripal ishte arrestuar nga Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë (FSB) në dhjetor të vitit 2004 dhe ishte dënuar me 13 vjet burgim. Në vitin 2010 ai ishte liruar dhe ishte dërguar në Britani, si pjesë e shkëmbimit të spiunëve për 10 agjentë rusë të cilët ishin arrestuar në Shtetet e Bashkuara.

Britania e ka akuzuar Rusinë se e ka helmuar me agjent nervor Skripalin, agjent ky i prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Por, Moska ka mohuar këto akuza.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme