Google ADS

Ministri britanik dorëhiqet për shkak të vonesës së votimit të Brexit-it

18:41 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ministri i Bujqësisë i Britanisë, George Eustice, ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit për t’u mundësuar ligjvënësve të vendosin për shtyrjen e Brexit-it pas 29 marsit nëse përsëri refuzohet marrëveshja e kryeministres britanike, Theresa May, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se ai preferon të jetë “i lirë për të marrë pjesë në debatin kritik që do të zhvillohet javën e ardhshme”, Eustice tha se ka frikë se ngjarjet e kësaj jave në parlamentin britanik “do të çojnë në një seri ngjarjesh duke arritur kulmin në BE me diktimin e kushteve të ndonjë shtyrjeje të Brexit-it dhe poshtërimit përfundimtar të vendit”.

Eustice tha se do të votoj për marrëveshjen e kryeministres May dhe se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të ketë frikë nga një Brexit pa marrëveshje.

“Nëse tani qëndrimi i Parlamentit është që ne do të refuzojmë të largohemi pa marrëveshje, atëherë ne disi jemi të mbërthyer. Kjo është e pakëndshme për të gjithë, por nuk mund të negociojmë një Brexit të suksesshëm nëse nuk jemi të përgatitur të ecim përmes portës. Prandaj, patjetër duhet të kemi guximin, nëse është e nevojshme, të kërkojmë së pari lirinë tonë dhe më pas të diskutojmë”, deklaroi Eustice.

Të martën, May njoftoi se ligjvënësve do t’u jepet mundësia të vendosin për një Brexit pa marrëveshje dhe një “shtyrje” të kufizuar të nenit 50 nëse marrëveshja që do të paraqitet nga kryeministrja përsëri refuzohet.

“Mbretëria e Bashkuar do të largohet pa marrëveshje më 29 mars vetëm nëse ka pëlqim në parlament për këtë dalje”, tha May.

Ajo theksoi se nuk dëshiron shtyrjen e nenit 50, duke shtuar se “nuk do ta bënte më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje”.

Kryeministrja britanike tha se ligjvënësve do t’u ofrohen dy vota nëse marrëveshja e saj do të refuzohet përsëri, respektivisht ata do të votojnë për një Brexit pa marrëveshje ose një shtyrje të kufizuar të nenit 50 për të negociuar daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja pas datës së Brexit-it.

Planifikohet që më 29 mars Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja nëse marrëveshja e kryeministres May mbështetet nga shumica e ligjvënësve në një votim që do të mbahet më 12 mars, megjithatë në rast të refuzimit të marrëveshjes, parlamenti do të vendos nëse data e daljes do të shtyhet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme