Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian përsëritën të enjten mbështetjen e tyre për Ukrainën, ndërsa ministri i jashtëm i vendit Dmitry Kuleba kërkoi armatime nga Bashkimi Evropian për të mbrojtur eksportet e grurit të vendit të tij. Zoti Kuleba reagoi gjithashtu me zemërim kur u pyet për kritikat ndaj kundërofinzivës që ka filluar dy muaj më parë për çlirimin e territorit të pushtuar nga forcat ruse. Komentet u bënë në një takim të ministrave të BE-së në Toledo të Spanjës.
Ukraina është një nga pikat e diskutimit të ministrave të jashtëm të BE-së gjatë takmit në Toledo të Spanjës.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme Josep Borrell njoftoi se BE-ja po diskuton se si të ndihmohet Ukraina ushtarakisht dhe në aspektin diplomatik.
“Dje me ministrat e mbrojtjes biseduam për aspektin ushtarak. Tani flasim për aspektin diplomatik, angazhimet e sigurisë në afat të gjatë dhe përpjekjet për të mbështetur formulën e paqes të paraqitur nga Ukraina”, thotë zoti Borell.
“Është përgjegjësi e jona që herë pas here të reflektojmë se si të koordinojmë dhe përmirësojmë mbështetjen tonë për Ukrainën. Kjo ka të bëjë me mbështetjen ushtarake dhe këtë e kemi bërë tanimë gjatë takimeve në NATO, por edhe me mbështetjen dhe solidaritetin evropian për Ukrainën”, thotë ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, gjatë takimit me ministrat e bllokut evropian nënvizoi që muaji shtator do të jetë shumë i rëndësishëm për transportin e grurit ukrainas pasi Rusia u tërhoq muaj më parë nga marrëveshja që mundësonte këtë gjë në mënyrë të sigurtë. Zoti Kuleba njoftoi se Presidenti turk Recep Erodgan do të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin për këtë çështje. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, atëherë Kievi, tha ai, ka gjetur një rrugë alternative për nxjerrjen e grurit duke e kaluar në ujërat e kontrolluara nga Rumania.
“Kjo do të na lejojë të eksportojmë grurin dhe dy anije tashmë kanë kaluar nëpër atë korridor. Prandaj, ju lutemi merrni parasysh se si mund të ndihmoni në sigurimin e këtij korridori të grurit ndërsa anijet janë ende në ujërat territoriale të Ukrainës. Me ndihmë kam parasysh dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore”, thotë zoti Kuleba.
Ndërsa fliste para gazetarëve krahas ministrit të jashtëm spanjoll, zoti Kuleba reagoi me zemërim kur u pyet për kritikat e kundërofensivës ukrainase të filluar dy muaj më parë. Gazeta “New York Times” javën e kaluar citoi zyrtarë amerikanë dhe të tjerë perëndimorë të thonin se ofensiva kishte bërë përparim të kufizuar sepse Ukraina kishte shumë trupa në vendet e gabuara.
“Unë do t’u rekomandoja të gjithë kritikëve të mbyllnin gojën, të vijnë vetë në Ukrainë dhe të përpiqen të çlirojnë një centimetër katror ”, reagoi zoti Kuleba.
Para takimit të paktën një ministër evropian foli edhe për sulmet me dronë brenda territorit të Rusisë. Ukraina asnjëherë nuk e ka pranuar akuzën e Moskës se ato po kryhen nga forcat e saj ushtarake.
“Po, Ukraina ka të gjitha të drejtat për të mbrojtur veten edhe në territorin rus dhe çdo lloj veprimi që dobëson fuqinë luftarake ruse është një histori suksesi edhe për Ukrainën”, u tha gazetarëve ministri i jashtëm i Estonisë, Margus Tsakhna./VOA
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...