Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të G20-ës u takuan fizikisht të martën në Itali për herë të parë pas dy viteve. Ata pritet të çojnë përpara zgjidhje për krizat globale si pandemia e koronavirusit.
Takimi njëditor në qytetin jugor italian, Matera, do të përfshijë debate për përmirësimin e bashkëpunimit në një varg temash si shëndetësia globale, urgjenca klimatike dhe tregtia ndërkombëtare, shkruan Reuters.
“Pandemia e ka theksuar nevojën për një përgjigje ndërkombëtare ndaj urgjencave që i kalojnë kufijtë kombëtarë”, deklaroi në takim ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio.
Italia, e cila tani e ka presidencën e përkohshme të Grupit G20, ka thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Afrikës, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm.
Shtetet anëtare të G20-ës përbëjnë mbi 80 për qind të prodhimit botëror, 75 për qind të tregtisë botërore dhe 60 për qind të popullsisë së planetit. Në Itali po marrin pjesë fizikisht në takim kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Japonisë dhe Indisë.
Ministrat e jashtëm të Kinës, Brazilit dhe Australisë vendosën që në takim të marrin pjesë në mënyrë virtuale, ndërsa Rusia e Koreja Jugore dërguan zëvendësministra.
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...