Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, i kanë miratuar planet për t’i ashpërsuar politikat për azil.
Vendimi është marrë në Luksemburg, teksa rriten shifrat e migrimit.
Ministrat e vendeve të BE-së, “kanë marrë hap historik, pas shumë vjetëve të negociatave”, ka thënë ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Stenergard, e cila e ka kryesuar takimin.
Sipas saj, planet përbëjnë “balanc të mirë në mes të përgjegjësisë dhe solidaritetit”.
Pas disa orëve negociata, shumica e ministrave të Brendshëm të bllokut, janë pajtuar për reformat e propozuara, pavarësisht kritikave të Austrisë, Holandës, dhe Italisë, të cilat kanë thënë se reformat nuk janë të mjaftueshme.
Ministrat e BE-së i kanë analizuar draft-planet për t’i ndaluar azilkërkuesit nëpër disa qendra të bllokut, nëpër kufijtë e jashtëm, derisa atyre t’iu procesohen aplikimet.
Nëse aplikanti nuk ka mundësi që të sigurojë azilin në BE, ai ose ajo duhet të kthehen menjëherë nëpër vendet prej nga kanë ardhur.
Aplikimet për azil duhet të analizohen në një periudhë kohore prej gjashtë muajsh.
Pjesë e debatit ka qenë edhe krijimi i një sistemi për të shpërndarë një përqindje të azilkërkuesve nëpër vendet e BE-së.
Shtetet e BE-së, që nuk tregojnë gatishmëri, apo nuk mund t’i pranojnë migrantët, do të ofrojnë ndihmë financiare prej 20.000 eurosh për person, ka thënë Stenergard.
Unanimiteti nuk është i nevojshëm për vendimet e bllokut për politika të migrimit.
Tani mund të nisin negociatat për këtë çështje në Parlamentin Evropian.
Megjithatë, përfundimi i gjithë procesit, para zgjedhjeve të ardhshme në BE-së, më 2024, do të jetë sfidues.
Organizata për ndihma, Oxfam, i ka kritikuar reformat.
Ajo ka thënë se planet për qendra kufitare “do t’i bllokojnë refugjatët, përfshirë fëmijët”, dhe se diçka e tillë do të ketë çmim të madh.
Më 2022, 881.200 kërkesa për azil janë regjistruar për herë të parë në BE.
Kjo shifër përbën rritje prej 64 për qind, në krahasim me vitin 2021./rel
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...