Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë disa takime të hënën me homologët e Izraelit, Autoritetit Palestinez dhe vendeve kryesore arabe. Takimet kanë të bëjnë me luftën në Gazë dhe perspektivat për një zgjidhje të ardhshme paqeje, thanë zyrtarët.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz dhe homologu i tij palestinez, Riyad al-Maliki, nuk pritet të takohen me njëri-tjetrin gjatë vizitave të tyre në Bruksel.
Ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite, gjithashtu, do të takohen me homologët evropianë në Bruksel, në kohën e frikës se një konflikt më i gjerë mund të përfshijë Lindjen e Mesme.
Diplomatët evropianë thanë se qëllimi i tyre është të informojnë secilën palë mbi mënyrat për t’i dhënë fund dhunës në terren si dhe për hapat e ardhshëm drejt një zgjidhjeje afatgjatë.
Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian – në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.
Si përgjigje, Izraeli është zotuar të “asgjësojë” Hamasin dhe ofensiva e tij ajrore dhe tokësore ka vrarë të paktën 24.620 palestinezë, rreth 70 për qind e tyre gra, fëmijë dhe adoleshentë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Blloku prej 27 vendesh, së bashku me Shtetet e Bashkuara, beson se krijimi i një shteti palestinez mbetet e vetmja mënyrë e mundshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme.
Por kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten e kundërshtoi kategorikisht këtë sugjerim.
Franca ka thënë se BE-ja do të miratojë të hënën sanksione ndaj Hamasit për sulmin e 7 tetorit.
Shefi politik i lëvizjes islamike në Gazë, Yahya Sinwar, u shtua të martën në listën e zezë “terroriste” të BE-së.
Diplomatët thonë se vendet e BE-së janë gjithashtu në procesin e hartimit të sanksioneve kundër kolonëve “ekstremistë” izraelitë në Bregun Perëndimor.
Vendet e BE-së këtë javë dhanë mbështetjen fillestare për ngritjen e një misioni detar për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve nga sulmet e Huthëve të Jemenit në Detin e Kuq.
Takimi i ministrave të BE të hënën është caktuar për të diskutuar mbi misionin, por ai pritet të finalizohet n muajin e ardhshëm.
Holanda dhe Gjermania kanë thënë se janë të gatshme të kontribuojnë me anije në mision./REL
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...