Militantët talibanë fillojnë të hyjnë në Kabul

11:04 | 15 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Militantët talibanë, që kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Afganistanit, të dielën kanë filluar të hyjnë në periferi të Kabulit, thanë zyrtarët, raporton DW. Ndërkaq, Washington Post ka raportuar se talibanët kanë hyrë në qytet, duke rritur frikën se Qeveria afgane do të bie.

Një zyrtr i lartë afgan tha për Reuters se talibanët po “hynin nga të gjitha anët”, por nuk dha më shumë detaje.

Kryeqyteti afgan, Kabuli është qyteti i fundit i madh që ende është nën kontrollin e forcave qeveritare.

Ofensiva në Kabul vjen në kohën kur forcat ndërkombëtare po përgatiten të evakuojnë diplomatët pas përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Helikopterët janë parë pranë Ambasadës amerikane të dielën dhe makinat e blinduara janë parë duke u larguar, ka raportuar Associated Press. Ndërkaq, diplomatët kanë shkatërruar dokumentet e ambasadës, tha AP, duke cituar zyrtarë anonimë të ushtrisë amerikane.

Reuters ka cituar një lider taliban në Doha të ketë thënë se ky grup militant ka urdhëruar luftëtarët që të përmbahen nga dhuna në Kabul dhe të lejojnë që kushdo që dëshiron të largohet, ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt.

Talibanët më 15 gusht morën pa luftë edhe qytetin Jalalabad, më pak se 24 orë pasi morën nën kontroll edhe qytetin Mazar-e Sharif.

Militantët postuan fotografi online teksa qëndruan brenda zyrës së guvernatorit të Jalalabadit, që është kryeqytet i provincës Nangarhar.

Abrarullah Murad, një ligjvënës nga provinca Nangarhar i tha agjencisë Associated Press se kryengritësit morën Jalalabadin pasi përfaqësuesit fisnor negociuan rënien e qeverisë në këtë qytet.

Humbja e Jalalabadit dhe Mazar-e Sharif është një goditje për presidentin, Ashraf Ghani, i cili iu adresua kombit më 14 gusht, duke u zotuar se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” e 20 vjetëve të fundit, që prej pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që hoqi nga pushteti talibanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme