Mijëra refugjatë pa strehë pas zjarrit në kampin në ishullin Lesbos të Greqisë

19:12 | 9 Shtator 2020
Arbresh.info

Mijëra refugjatë kanë mbetur pa strehë pas zjarrit që shpërtheu në kampin e refugjatëve në Moria të ishullit Lesbos në Greqi, njoftoi zv/ministri i Politikave të Migrimit, Yorgos Kumutsakos.

Kumutsakos zhvilloi një konferencë për media në kryeqytetin Athinë, në lidhje me zjarrin në kampin Moria, kampi më i madh refugjatës në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se 3.500 prej rreth 12.500 refugjatë me gjasa do të strehohen në çadrat në afërsi të kampit, duke shtuar se tjerët do të vazhdojnë të jetojnë në kamp.

“Jemi përballë me një krizë humanitare të paparë. Ngjarjet dramatike në Moria shkaktuan zjarr të madh. Qendra u shkatërrua. Si rezultat, mijëra persona mbetën pa strehë”, u shpreh Kumutsakos.

Fëmijët e pashoqëruar do të transferohen në territorin kontinental

Kumutsakos më tej tregoi se 408 fëmijë të pashoqëruar refugjatë do të transferohen në territorin kontinental, si dhe do të gjejnë vende të sigurta për të gjithë grupet e prekshme.

Ai njoftoi se nuk janë raportuar humbje jete, ndërsa zjarri ka shpërthyer pas rrëmujës së shkaktuar nga refugjatët për shkak të masave të izolimit që zbatohen kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Kampi nga java e kaluar ishte në karantinë për shkak të 35 rasteve me koronavirus (COVID-19) të zbuluara.

Organizatat humanitare ndërkombëtare tërheqin vëmendjen për mbipopullimin dhe kushtet çnjerëzore në kamp, duke thënë se mbajtja e distancës sociale dhe kushteve higjienike nuk mund të sigurohen atje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme