Mijëra persona marshojnë me kërkesë për tërheqje të trupave franceze në Nigeri

16:10 | 2 Shtator 2023
Diellza Gashi

Mijëra persona kanë marshuar të shtunën në kryeqytetin e Nigerit, Niamej, duke kërkuar që Franca, ish-koloni në këtë vend, t’i tërheqë trupat e veta ushtarake, siç ka kërkuar junta, e cila e ka marrë pushtetin në qershor.

Protestuesit janë mbledhur afër bazës së ushtrisë franceze, pas thirrjes që e kanë bërë disa organizata civile të Nigerit, që e kundërshtojnë prezencën e Francës në këtë shtet të Afrikës Perëndimore.

Protestuesit janë parë me mbishkrimet, “ushtria franceze të largohet nga shteti ynë”.

Regjimi ushtarak i Nigerit ka nisur kritika të reja kundër Francës të premten, duke e akuzuar Parisin për “ndërhyrje të madhe”, duke e përkrahur presidentin e rrëzuar të shtetit.

Presidenti Mohamed Bazoum, aleat i ngushtë i Francës, i cili pas fitores në zgjedhjet e vitit 2021 i ka rritur shpresat për stabilitet në Niger, është arrestuar më qershor nga pjesëtarë të gardës së tij.

Më 3 gusht, regjimi ushtarak ka bërë të ditur se do t’i shkëpusë të gjitha marrëveshjet me ushtrinë e Francës, e cila i ka rreth 1.500 ushtarë në Niger, për t’i ndihmuar këtij vendi që ta luftojë xhihadin në rajon.

Udhëheqësit ushtarakë kanë bërë, po ashtu, të ditur për “dëbimin” e menjëhershëm të ambasadorit francez, Sylvain Itte, si dhe tërheqjen e imunitetit diplomatik.

Sipas tyre, prezenca e ambasadorit përbën kërcënim për rendin publik.

Mirëpo, presidenti francez, Emmanuel Macron e ka përgëzuar punën e ambasadorit në Niger, dhe ka thënë se ai vazhdon të qëndrojë atje, pavarësisht se i është dhënë afat prej 48-orësh që të largohet nga shteti, qysh të premten e kaluar./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme