Mijëra njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore të Soleimanit

15:49 | 6 Janar 2020
Arbresh Info

Mijëra të pikëlluar brohorisnin “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, ndërsa bartnin pankarta duke kërkuar hakmarrje për Soleimanin

Mijëra iranianë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të gjeneralit të lartë ushtarak Qasem Soleimani dhe udhëheqësit të milicisë irakiane, Abu-Mahdi al-Muhandis, në kryeqytetin Teheran të hënën.

Soleimani, kreu i forcave elitare të Gardës Revolucionare të Iranit dhe al-Muhandis, nënkryetari i forcave irakiane Hashd al-Shaabi, u vranë në një sulm ajrorë me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit të premten.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, drejtoi lutjen për dy burrat në Universitetin e Teheranit, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.

Mijëra të pikëlluar brohorisnin “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, ndërsa bartnin pankarta duke kërkuar hakmarrje për Soleimanin.

Kufomat e Soleimanit dhe al-Muhandis arritën në Teheran të hënën në agim së bashku me kufomat e katër personave të tjerë të vrarë në sulmin ajror amerikan.

Vdekja e Soleimanit çoi në një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të acaruara që kur Trump vendosi në vitin 2018 që të tërheqë njëanshëm Washingtonin nga pakti i marrëveshjes mbi programin bërthamor me Iranin.

Të premten, organi i lartë i sigurisë i Iranit u zotua për “hakmarrje të ashpër” në “kohën e duhur dhe vendin e duhur” për vrasjen e Soleimani.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për komplotin e një sulmi në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, dhe se po planifikonte të kryente sulme tjera mbi diplomatët dhe anëtarët e stafit amerikan në Irak dhe rajon. /AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme