Google ADS

Mijëra militantë të ISIS-it luftojnë për mbijetesë

15:10 | 6 Gusht 2017
Arbresh.info
Një zyrtar i lartë amerikan tha se afro 2 mijë militantë të grupit ekstremist, “Shteti Islamik” (ISIS), po luftojnë për mbijetesë në qytetin Raka në Siri, që është baza e fundit e tyre në pjesën veriore të këtij vendi.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për koalicionin ndërkombëtar që lufton kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, Brett McGurk, tha se aleanca arabo-kurde, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e ka marrë afro 45 për qind të këtij qyteti nga militantët dhe ka plane për të lëvizur më tutje.

Ndaras, Observatori sirian për të drejtat të njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, ka thënë mbrëmë se forcat e Qeverisë së Sirisë e kanë marrë qytetin Al-Sukhna, nga militantët e Shtetit Islamik.

Ky vendbanim ishte qyteti i fundit madhor në provincën Homs, në të cilin ushtria e Qeverisë së Sirisë e mori kontrollin nga luftëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik, derisa ushtria po vazhdon me përpjekjet e saj për largimin e militantëve nga rajonet lindore të Sirisë.

Të dy këto zhvillime janë sinjale të mëtejshme për zvogëlimin e sasisë së territorit të militantëve, të cilët e kishin okupuar qytetin Raka, së bashku me hapësira të tjera të gjëra në Irak dhe Siri, nga forcat qeveritare në vitin 2014, dhe e kishin shpallur “kalifatin” islamik.

Ofensivat nga forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara gjatë muajve të fundit, në mënyrë substanciale e kanë reduktuar territorin e Shtetit Islamik dhe kanë çuar në çlirimin e Mosulit, që nga grupi ekstremist ishte shpallur kryeqytet në Irak.

Brett McGurk tha se ekstremistët e kanë humbur 58 për qind të territorit në Siri, që e mbanin në kulmin e depërtimit të tyre, dhe 78 për qind të territorit që e kishin nën kontroll në Irak.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të përbëra nga luftëtarët kurdë dhe arabë, e të mbështetura nga forcat amerikane, prej muajit nëntor janë në rrethim të Rakës dhe duke avancuar kah ky qytet. Ofensiva për marrjen e kontrollit ndaj Rakës është lansuar më 6 qershor.

“Sot në Raka, Shteti islamik po lufton për secilin bllok të fundit…dhe luftojnë për të mbijetuar”, u tha McGurk reporterëve dhe shtoi se “vlerësojmë se atje janë afro 2 mijë luftëtarë të ISIS-it, që kanë mbetur në Raka”.

I dërguari special amerikan, McGurk, tha se koalicioni e ka krijuar një bazë të të dhënave me afro 19 mijë emra të luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke përdorur telefona mobilë, regjistra të adresave dhe dokumente të tjera, që janë marrë gjatë luftimeve.

Këto informacione po këmbehen me agjencinë policore ndërkombëtare, Interpol, tha McGurk.

Sipas të dhënave të publikuara më 16 korrik nga Observatori sirian për të drejtat e njeriut, nga lufta civile gjashtëvjeçare në Siri janë vrarë më shumë se 330 mijë njerëz, përfshirë 99,617 civilë.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia i mbështesin grupet e ndryshme, që luftojnë kundër qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Presidenti Assad nga ana tjetër, mbështetet nga Rusia dhe Irani. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme