Microsoft do t’ua paguajë 20 milionë dollarë rregullatorëve federalë të SHBA-së pasi u zbulua se gjiganti amerikan i teknologjisë kishte grumbulluar në mënyrë të paligjshme të dhëna për fëmijët që kishin hapur llogari në Xbox.
Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) arriti një marrëveshje me kompaninë më 5 qershor, marrëveshje kjo që përfshin edhe mbrojtje shtesë për videolojërat e fëmijëve.
Në mesin e disa shkeljeve, FTC-ja zbuloi se Microsoft nuk kishte informuar prindërit për politikat e saj të mbledhjes së të dhënave.
Gjobitja e Microsoft vjen pas një vendimi të ngjashëm të bërë ndaj kompanisë Amazon për pajisjen e saj, Echo.
FTC-ja tha se Microsoft e ka shkelur Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë së Fëmijëve në internet duke mos marrë siç duhet pëlqimin prindëror dhe duke grumbulluar të dhëna personale për fëmijët nën 13 vjeç, për llogaritë e krijuara para vitit 2021.
Ligji kërkon që shërbimet online dhe faqet e internetit për fëmijë të marrin pëlqimin e prindërve dhe t’i informojnë prindërit për të dhënat personale që mblidhen për fëmijët e tyre.
Përdoruesit e Xbox duhet të krijojnë një llogari për t’i përdorur disa shërbime të caktuara. Informacionet si emri i plotë, adresa e emailit dhe data e lindjes mblidhen si pjesë e hapave të konfigurimit.
Vetëm pasi merrte edhe informacione personale, si për shembull numrin e telefonit të fëmijës, Microsoft kërkonte që një prind të jepte leje.
Nga viti 2015 deri në vitin 2020, Microsoft mbajti të dhëna “nganjëherë me vite” nga llogaritë e konfiguruara, edhe kur një prind nuk e përfundonte procesin e dhënies së lejes, tha FTC-ja në një deklaratë.
Kompania gjithashtu nuk informoi prindërit për të gjitha të dhënat që po mblidhte, si foton e profilit të përdoruesit dhe nuk u tregoi atyre se të dhënat po u shpërndaheshin palëve të treta.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur me FTC-në, Microsoft duhet gjithashtu të krijojë mbrojtje të reja sigurie për fëmijët. Kjo përfshin mbajtjen e një sistemi për t’i fshirë të gjitha të dhënat personale pas dy javësh nëse nuk merret pëlqimi prindëror.
Urdhri duhet të miratohet nga një gjykatës federal përpara se të hyjë në fuqi.
Javën e kaluar, Amazon ra dakord të paguante 25 milionë dollarë pasi FTC-ja zbuloi se kishte ruajtur të dhëna të ndjeshme, përfshirë regjistrimet zanore të fëmijëve, për vite me radhë./REL
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...
Disa fakte për zgjedhjet në SHBA