Mianmari dhe Bangladeshi kanë nisur një përpjekje të dytë për rikthimin vullnetar të mijëra refugjatëve Rohingya, të cilët për shkak të dhunës janë larguar nga Mianmari në Bangladeshin fqinj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) njoftoi se Bangladeshi i ka dërguar Mianmarit emrat e më shumë se 22 mijë refugjatëve nga ku qeveria e Mianmarit në fazën e parë ka miratuar kthimin e 3.500 prej tyre.
Komisioneri i Ndihmës dhe Kthimit të Refugjatëve në Bangladesh, Abul Kalam, në një deklaratë në kryeqytetin Dhaka ka theksuar se identiteti i 3.500 personave është konfirmuar nga Mianmari dhe se refugjatët Rohingya, të konfirmuar nga qeveria e Mianmarit, nëse dëshirojnë mund të rikthehen në Mianmar.
Që prej dy vitesh në kampet e refugjatëve në Bangladesh jetojnë 900 mijë myslimanë Rohingya
Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI), një institucion ‘think-tank me qendër në Australi, në raportin e saj të përgatitur për periudhën dhjetor 2018 – qershor 2019, duke u bazuar në pamjet e fundit satelitore kishte theksuar se nuk ishin të mjaftueshme përgatitjet që qeveria e Mianmarit ka bërë për rikthimin e refugjatëve.
Nëntorin e kaluar plani për rikthimin në Mianmar të rreth 2 mijë refugjatëve Rohingya u pezullua për shkak se refugjatët nuk dëshironin rikthimin në Mianmar pa mbrojtjen e OKB-së.
Ndërkohë që Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se rreth 900 mijë Rohingya jetojnë në kampe refugjatësh në Bangladesh për gati dy vjet dhe i bëri thirrje administratës së Mianmarit që të sigurojë kushtet e nevojshme për kthimin e tyre në vend sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Spastrimi etnik i myslimanëve Rohingya
Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe myslimanëve, ku si pasojë e ngjarjeve mijëra persona, nga të cilët shumica myslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.
Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.
Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri më tani ka arritur në 745 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër myslimanëve Rohingya të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.
Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e myslimanëve të Arakanit.
Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e myslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...