Meta largon llogaritë e liderit suprem të Iranit

18:25 | 8 Shkurt 2024
E.K

Kompania Meta ka larguar llogaritë që mirëmbahen nga Zyra e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei në Instagram dhe Facebook, për shkak të postimeve që ishte bërë në mbështetje të grupit palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne kemi larguar këto llogari pasi në vazhdimësi ato kanë shkelur politikën tonë për organizatat dhe individët e rrezikshëm”, tha në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë një zëdhënës i rrjetit social, Instagram, që është pjesë e kompanisë Meta.

Kjo politikë përfshirë organizatat që janë në listën e zezë të Qeverisë amerikane.

Meta nuk iu referua në mënyrë eksplicite Hamasit, por Khamenei ka lavdëruar sulmet e grupit radikal palestinez ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u morën peng afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj duke nisur një ofensivë vdekjeprurëse ndaj Hamasit në Rripin e Gazës.

Irani është një mbështetës i fuqishëm i Hamasit, por ka mohuar se është përfshirë një sulmin që grupi radikal palestinez kreu ndaj Izraelit.

Ambasadori i Teheranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeed Iravani, në një intervistë për NBC News dhënë më 7 shkurt tha se Irani ka armatosur, stërvitur dhe “fuqizuar” grupet militante palestineze.

Departamenti amerikan i Shtetit më 2020 vlerësoi se Irani “historikisht i ka dhënë 100 milionë dollarë në vit” grupeve militante palestineze, përfshirë Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez.

Në tetor të vitit 2023, Meta tha se do të largonte “lavdërimet dhe mbështetjen” për Hamasin.

Zyra e Khameneit ka mirëmbajtur disa llogari në disa gjuhë në rrjetet sociale Instagram, Facebook dhe Twitter. Të gjitha këto platforma janë të bllokuara në Iran.

Llogaria e liderit iranian në Instagram në gjuhën persiane, që ka mbi 5 milionë ndjekës, është në mesin e llogarive që janë larguar nga Meta.

Para se miliarderi Elon Musk të blinte X, që më herët njihej si Twitter, në këtë rrjet social ishin larguar disa llogari të lidhura me Zyrën e Khameneit, për shkak të postimeve që përmbanin kërcënime ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme