Ukraina dhe Hungaria po përgatisin mbajtjen e një takimi mes Presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe Kryeministrit Viktor Orban në të ardhmen e afërt, njoftoi të enjten shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, ndërsa Hungaria ka ndërmarrë rishtazi hapa që kanë ftohur marrëdhënien mes dy vendeve.
Më herët këtë muaj, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me përjashtim të Hungarisë, ranë dakort për të filluar bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës. Udhëheqësit e unionit arritën të shmangin kundërshtitë e zotit Orban, duke i kërkuar atij të dilte nga salla në momentin kur do të merrej vendimi.
Por, ata nuk arritën të tejkalonin rezistencën e Orban për rishikimin e buxhetit të BE-së, me qëllim kanalizimin e 50 miliardë Eurove për Kievin. Pritet që çështja të rimerret në shqyrtim gjatë një takimi emergjence të nivelit të lartë në muajin shkurt. Orban kërkon që fondet për Kievin të vijnë nga jashtë buxhetit të BE-së.
Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak i bëri komentet e tij pas një “telefonate frutdhënëse” me Ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
“Po punojmë për të organizuar një takim mes dy udhëheqësve në të ardhmen e afërt”, tha zoti Yermak në platformën e mediave sociale X.
Ai shtoi se u diskutua edhe për përparimin e Ukrainës në rrugën e integrimit evropian.
Zelenskyy tha pak më herët se dy vendet duhet të organizojnë një takim konstruktiv për të diskutuar problemet në marrëdhënien e tyre. Orban konfirmoi më vonë se ka pranuar ftesën për t’u takuar./voa
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...