Merz: Jo pranimit të migrantëve nga Bosnja e Greqia

12:16 | 2 Janar 2021
Arbresh.info

Politikani i CDU-së dhe kandidat për postin e kryetarit të partisë konservatore është shprehur kundër pranimit të refugjatëve nga kampet greke dhe ato në Bosnjë. “Kjo rrugë nuk është më e hapur”, tha Merz.

Politikani konservator i CDU-së dhe kandidat për kreun e Partisë Kristiandemokrate, Friedrich Merz ka refuzuar pranimin e refugjatëve nga kampet e migrantëve në Bosnje dhe Greqi. “I gjithë Bashkimi Europian e ka detyrimin për të ndihmuar refugjatët në Ballkan apo në ishujt grekë në vend aty ku janë”, tha Merz për grupin mediatik “Funke Mediengruppe”. “Kjo katastrofë humanitare nuk zgjidhet përmes asaj që ne të themi: Hajdeni të gjithë në Gjermani. Kjo rrugë nuk është më e hapur.” Ish-kreu i grupit parlamentar të Unionit theksoi më tej, se “marrja e refugjatëve në Gjermani, nuk mund të jetë zgjidhja”, citon agjencia e lajmeve, dpa, Friedrich Merz.

Merz kërkoi një politikë të përbashkët azili dhe migracioni “der tek vendimi për organizimin e pranimit, shpërndarjes e në rast edhe të kthimit të refugjatëve në kufijtë e jashtëm të BE.” Lidhur me misionin për shpëtimin e refugjatëve në det, Merz u shpreh, se më e mira do të ishte që ata të mos niseshin. “Mesazhi i qartë për refugjatët dhe organizatat e kontrabandistëve duhet të jetë: është e rrezikshme për jetën dhe nuk do të keni sukses.”

Merz: Gjermania jo konsekuente

Lidhur me dëbimet e refugjatëve pa të drejtë qëndrimi, Merz është shprehur se Gjermania në vitet e fundit “nuk ka qenë kudo konsekuente, kjo duhet të ndryshojë”. Magjithatë ai u shpreh, se kjo nuk do të bëhet në atë masë si do të ishte e nevojshme. Dëbimet në Siri edhe pas përfundimit të moratoriumit, do të “ndeshin në kufij faktikë dhe ligjorë”. Nuk ka linja fluturimi me Sirinë dhe rrugë tokësore të hapura. Siria është një vend tmerrësisht i përçarë nga lufta civile.” Dëbimet do të jenë të mundura edhe më tej në raste të veçanta, theksoi Merz./dw

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme