Merkel përkujton “Zinxhirin e Baltikut” të krijuar 30 vjet më parë

21:10 | 22 Gusht 2019
A. B.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka përkujtuar qindra mijëra persona që janë rreshtuar në tri shtetet baltike 30 vjet më parë, për të krijuar atë që do të njihej më vonë si Rruga Baltike, në shenjë proteste kundër pushtimit sovjetik.

Përmes një video-mesazhi të transmetuar më 22 gusht në një konferencë në kryeqytetin e Letonisë, Riga, Merkel e ka përshkruar Rrugën Baltike apo Zinxhirin Baltik si “hap të rëndësishëm drejt lirisë dhe demokracisë në Evropën Veriore, Qendrore dhe atë Lindore”.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka thënë në kuadër të ngjarjeve që po mbahen për të shënuar 30-vjetorin e protestës, se marshet paqësore kanë qenë “rruga jonë e kthimit në Evropë”.

Më 23 gusht të vitit 1989, më shumë se 1 milon protestues janë rreshtuar për të krijuar një zinxhir njerëzor 675 kilometra të gjatë, që ka kaluar në kryeqytetin Vilnius të Lituanisë, në Riga të Letonisë dhe Tallin të Estonisë.

Kjo protestë ishte organizuar për të shënuar 50-vjetorin e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes ish-Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste atëbotë, e cila ka hapur rrugën për pushtimin që ka përfshirë më pas shtetet baltike në kuadër të Bashkimit Sovjetik më 1940.

Dhjetëra mijëra qytetarë nga Estonia, Letonia dhe Lituania janë ekzekutuar apo janë dërguar në Siberi përgjatë dekadave të pushtimit sovjetik.

Merkel ka thënë se zinxhiri njerëzor “tregon sa shumë mund të bëjnë njerëzit kur kanë qëllime njerëzore dhe kur bëhen bashkë”, duke shtuar se protestat kanë qenë “shembull dhe frymëzim për të gjithë evropianët”.

“Deri më sot, zinxhiri njerëzor prezanton një nga pamjet më të fuqishme të historisë së lirisë në Evropë”, ka thënë kancelarja gjermane.

Të inspiruar nga Ruga Baltike, aktivistët pro-demokratikë në Hong Kong, po tentojnë të mbledhin mijëra persona më 23 gusht për të formuar një zinxhir njerëzor përgjatë linjave kryesore të trenit në këtë territor kinez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme