Google ADS

Merkel kërkon unitet të BE-së në ballafaqim me Rusinë

21:37 | 25 Nëntor 2021
KRG

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel ka paralajmëruar më 25 nëntor që Bashkimi Evropian duhet të jetë gati të shtojë sanksionet ndaj Rusisë në rast të përkeqësimit të situatës afër kufirit mes Ukrainës ose Bjellorusisë e Polonisë.

Ajo kërkoi unitet brenda BE-së dhe kujdes kundrejt Moskës gjatë një takimi në Berlin që pati me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.

Zyrtarët evropianë e amerikanë akuzojnë Moskën për përkrahje të fushatës ‘hibride’ të Bjellorusisë për të nxitur krizën me migrantë në kufijtë e saj me BE-në dhe paralajmëruan për grumbullimin e trupave ruse afër Ukrainës, ku Rusia vazhdon të përkrahë separatistët në luftën e tyre tetëvjeçare kundër autoriteteve qendrore.

Merkel shtoi se shtensionimi i situatës është gjithmonë opsion i preferuar, por tha se ‘çfarëdo agresioni i mëtutjeshëm kundër sovranitetit të Ukrainës do të ketë çmim të lartë’.

Gjatë takimit me kryeministrin polak, Merkel diskutoi rreth krizës aktuale me migrantë në kufirin mes Polonisë e Bjellorusisë të cilët shpresojnë që të arrijnë brenda territorit të BE-së.

Sipas Merkelit, Polonia po bën gjithçka që është e mundur për të shmangur çfarëdo përshkallëzimi të krizës në kufirin e saj, ku janë grumbulluar mijëra njerëz derisa po ndihmohen nga forcat bjelloruse që të kalojnë kufirin.

Merkel, e cila së shpejti do t’ia dorëzojë detyrën kancelarit të ri, OIaf Scholz, shprehi solidaritetin e plotë të Gjermanisë me Varshavën në ballafaqim me krizën.

Në anën tjetër, kryeministri polak tha se nuk do të dorëzohet para ‘shantazhit politik’ pavarësisht krizës në kufi dhe shtoi se BE-ja duhet të përgatisë sanksione shtesë që do të prekin Bjellorusinë, përfshirë ato ekonomike.

Ai tha se shteti i tij, Polonia po e ‘mbron’ Gjermaninë dhe gjithë BE-në nga vala e re e migrantëve./RE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme