Qeveria italiane ka shpallë gjashtë muaj gjendje të jashtëzakonshme për t’iu përgjigjur krizës në rritje të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut.
Vendimi i ekzekutivit zhbllokon 5 milionë euro fonde dhe përkon me mbërritjen e 3 mijë emigrantëve në vetëm tre ditë.
Një numër varkash kanë zbarkuar në ishullin italian të Lampeduzës dhe roja bregdetare ka shpëtuar rreth 2 mijë persona që prej së premtes.
Mbërritjet e emigrantëve në Itali janë rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pavarësisht përpjekjeve të koalicionit qeverisës për të frenuar fenomenin.
Ministri për Mbrojtjen Civile, Nello Musumeci foli për një rritje prej 300 për qind dhe tha se bëhet fjalë për një emergjencë që e ka vënë infrastrukturën e Italisë në rrezik.
“Po flasim për një fenomen të pakonstatuar më parë. Vetëm ishujt nuk mund të përballen me këtë lloj emergjence”, deklaroi ministri.
Ai theksoi më tej se, gjendja e jashtëzakonshme nuk pritet ta zgjidhë problemin, duke shtuar se për ta arritur këtë duhet një përgjigje në nivel evropian.
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve të emigrantëve që prej vitit 2017.
Agjencia e posaçme për Emigracionin deklaroi se 441 vdekje janë regjistruar në qendër të Mesdheut në tre muajt e parë të 2023-shit. Ajo paralajmëroi se vonesat e shteteve në reagimin e tyre për të shpëtuar emigrantët bënë që 127 prej tyre të vdisnin.
Vetëm të shtunën, të paktën 4 persona humbën jetën dhe mbi 20 të tjerë u shpallën të humbur kur dy varka me emigrantë u fundosën në brigjet e Tunizisë.
Tunizia është kthyer në pikën kryesore të nisjes së emigrantëve në muajt e fundit dhe incidenti i së shtunës ishte vetëm i fundit i një seri incidentesh në brigjet e saj./Euronews/
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton
Sulmohet nga forcat ruse edhe ambasada e Maqedonisë së Veriu...
Qeveria amerikane rrezikon mbyllje të pjesshme në mesnatë
Dy persona kanë qëlluar në drejtim të policisë në Dibër